Bota

“Mur më mur” mes Spanjës dhe Italisë: Rikthehen kontrollet në kufijtë e Shengenit

“Mur më mur” – kjo është ajo që tashmë ndan Spanjën dhe Italinë.

Jo një mur fizik mes dy vendeve, të cilat nuk kanë një kufi tokësor të përbashkët, por një barrierë e krijuar nga kontrollet e ndërsjella në porte dhe aeroporte, në dëm të mijëra udhëtarëve, qofshin ata me pushime apo për arsye të tjera.

Pas një ultimatumi që iu kthye mbrapsht, Madridi ka vendosur t’i përgjigjet Romës me të njëjtën monedhë. Italia, pas krizës së Ceutës, kishte pezulluar për një muaj marrëveshjen e Shengenit në kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën.

Kështu, në mesnatën mes së premtes dhe së shtunës – dhe deri më 7 shtator – kanë hyrë në fuqi kontrollet për pasagjerët që mbërrijnë në Spanjë nga Italia.

Ministria e Jashtme italiane (Farnesina) ka forcuar asistencën e konsullatave dhe zyrave të saj për shtetasit italianë që mund të hasin probleme në Spanjë ose gjatë udhëtimit.

Megjithatë, situata në aeroportet kryesore spanjolle nuk duket se ka shkaktuar pasoja të rënda deri tani dhe as pengesa për rreth 250 fluturimet që vijnë nga Italia.

Dokumentet janë kontrolluar në mënyrë të rrjedhshme te një kampion prej 5 deri në 15% të pasagjerëve, direkt pas zbritjes nga avionët.

Kjo lëvizje e ndërsjellë, e cila synon kontrollin e shtetasve të vendeve të treta, përbën megjithatë një plagë të thellë për unitetin e Europës.

Bashkimi Europian është i bindur se emigracioni i paligjshëm është një “sfidë e përbashkët që duhet përballuar së bashku”, dhe jo një fushë beteje mes kryeqyteteve me orientime të ndryshme politike.

“Besimi mes shteteve anëtare është burimi ynë më i çmuar”, kujtoi komisioneri i BE-së për Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, gjatë një telefonate me ministrat e Brendshëm të Spanjës dhe Italisë, Fernando Grande-Marlaska dhe Matteo Piantedosi.

“Të dy konfirmuan se kontrollet në kufijtë e brendshëm janë të përkohshme”, ndërsa ai theksoi edhe “përparimin e bërë në luftën kundër emigracionit të paligjshëm”, në përpjekje për të ulur tensionet.

Brukseli dëshiron në fakt të shmangë shpërbërjen e marrëveshjes së Shengenit, duke kërkuar më shumë kontrolle në kufijtë e jashtëm të BE-së, përfshirë edhe Ceutën.