Kush e urdhëroi vrasjen e legjendës së rap-it? Nis gjyqi 30 vite pas vrasjes së Tupac Shakur
30 vjet pas vrasjes së Tupac Shakur, në Las Vegas nis gjyqi ndaj një ish-drejtuesi bande, i akuzuar se orkestroi vrasjen e një prej reperëve më të njohur të të gjitha kohërave.
Procesi nuk pritet domosdoshmërish të përcaktojë se kush qëlloi ndaj Shakur natën e 7 shtatorit 1996, kur reperi ndodhej në Las Vegas për të ndjekur një ndeshje boksi të Mike Tyson.
Megjithatë, prokuroria synon të provojë se Duane “Keffe D” Davis, ish-drejtues i bandës South Side Compton Crips, urdhëroi vrasjen dhe siguroi armën e përdorur në krim. Davis, tashmë 63 vjeç, rrezikon burgim të përjetshëm pa mundësi lirimi me kusht.
Vrasja e Tupac mbetet një nga krimet e pazbardhura më të famshme në Shtetet e Bashkuara. Shakur, i vrarë në moshën 25-vjeçare, ishte një nga figurat qendrore të rivalitetit të famshëm mes skenave të rap-it të Bregut Perëndimor dhe atij Lindor të Shteteve të Bashkuara.
I njohur për këngë si “California Love” dhe albumin “All Eyez on Me”, Tupac u shndërrua shpejt në një prej figurave simbol të rap-it kalifornian pasi nënshkroi me Death Row Records në Los Angeles.
Procesi pritet të rikthejë në vëmendje edhe konfliktin mes Death Row Records, të themeluar nga Marion “Suge” Knight, dhe Bad Boy Records, kompanisë së krijuar në Bregun Lindor nga Sean “P. Diddy” Combs.
Christopher “The Notorious B.I.G.” Wallace, reperi që punonte me Bad Boy Records, u vra gjashtë muaj pas vdekjes së Shakur.
Sipas akuzës, Death Row Records mbrohej nga Mob Piru, një bandë e Los Angeles me të cilën ishte i lidhur edhe Suge Knight. Bad Boy Records, ndërkohë, kishte angazhuar për mbrojtje bandën rivale South Side Compton Crips, të drejtuar nga Davis.
Ngjarja që, sipas prokurorisë, çoi drejt vrasjes ndodhi pas ndeshjes së Mike Tyson në kazinonë MGM Grand. Suge Knight dhe Tupac Shakur u përfshinë në një përleshje me nipin e Davis, Orlando “Baby Lane” Anderson, pasi ky i fundit kishte marrë me forcë një medalion nga një punonjës i Death Row.
Sipas aktakuzës, Davis organizoi më pas një sulm hakmarrës ndaj Shakur.


