Matura, më 24 gusht nis sesioni i dytë i provimeve, rreth 1,300 maturantë ngelën në sesionin e parë
Sesioni i dytë i Maturës Shtetërore dhe Maturës Shtetërore Profesionale 2026 do të nisë më 24 gusht. Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit kanë përcaktuar datat, kategoritë e kandidatëve që mund të marrin pjesë.
Sipas kalendarit, më 24 gusht do të zhvillohet provimi i Gjuhës së Huaj, më 27 gusht ai i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ndërsa Matematika do të jepet më 31 gusht. Sesioni do të mbyllet më 3 shtator me provimin e lëndëve me zgjedhje, ndërsa për maturantët e arsimit profesional në këtë datë do të zhvillohet provimi i teorisë profesionale të integruar. Të gjitha provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të zgjasin 2 orë e 30 minuta. Testet do të hartohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore, ndërsa provimet do të zhvillohen në qendra të përqendruara.
Në sesionin e dytë marrin pjesë, mes të tjerëve, maturantët që kanë rezultuar mbetës në një ose më shumë provime të sesionit të parë. Sipas të dhënave, rreth 1,300 maturantë kanë marrë notën 4 në të paktën një prej provimeve të Maturës Shtetërore 2026. Numri më i lartë i mbetësve është regjistruar në Matematikë, ku 645 kandidatë kanë marrë notën 4, ose rreth 2.6% e pjesëmarrësve.
Në Gjuhën e Huaj rezultuan 367 mbetës, në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi 325, ndërsa në provimin me zgjedhje 247 kandidatë. Megjithatë, numri i kandidatëve që mund të marrin pjesë në sesionin e dytë mund të jetë më i lartë se numri i mbetësve të sesionit të parë. Udhëzimi parashikon që në provime të futen edhe maturantët që kanë qenë mbetës në një ose dy lëndë gjatë vitit shkollor 2025–2026 dhe i kanë shlyer ato deri më 7 gusht, si dhe kandidatë të viteve të mëparshme që kanë ende detyrime të Maturës.
Të drejtë për të marrë pjesë kanë gjithashtu kandidatët që kanë kryer njohjen dhe njësimin e diplomës së arsimit të mesëm dhe kanë ende provime të Maturës për të shlyer.




