“31 milionë euro nga Thesari për KAYO”/ Klevis Balliu: Kjo nuk është vetëm çështje financiare, por edhe e sigurisë kombëtare
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka ngritur akuza lidhur me pagesat që, sipas tij, janë kryer nga Thesari i Shtetit në kuadër të skemës KAYO.
Në një postim në rrjetet sociale, Balliu pretendon se deri më tani janë paguar rreth 31 milionë euro, ndërsa pagesat mujore, sipas tij, arrijnë në rreth 3.5 milionë euro.
Balliu e cilëson çështjen si më shumë se një problem financiar, duke e lidhur atë me sigurinë kombëtare për shkak të kontratave që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe kapacitetet e Forcave të Armatosura.
“Kur bëhet fjalë për kontrata që lidhen me mbrojtjen dhe kapacitetet e Forcave të Armatosura, çdo dyshim për abuzim me fondet publike merr një dimension shumë më të rëndë: është çështje e sigurisë kombëtare”, shkruan ai.
Postimi i Balliut:
KAYO: 31 MILIONË EURO NGA THESARI – ÇËSHTJE E SIGURISË KOMBËTARE
Afro 3.5 milionë euro në muaj dalin nga taksat e shqiptarëve përmes skemës KAYO. Deri më sot rezultojnë rreth 31 milionë euro të paguara.
Kjo nuk është thjesht një çështje financiare. Kur bëhet fjalë për kontrata që lidhen me mbrojtjen dhe kapacitetet e Forcave të Armatosura, çdo dyshim për abuzim me fondet publike merr një dimension shumë më të rëndë: është çështje e sigurisë kombëtare.
Vetëm rreth tre ditë më parë, nga Thesari i Shtetit janë kaluar 3.6 milionë euro për automjete teknike transporti për Repartin Ushtarak 4001. Për këtë kontratë është përzgjedhur sërish Timak Defence, kompani e lidhur me këtë skemë.
Dhe kjo nuk është një pagesë e izoluar. Për rreth 10 muaj, pagesat ndaj kësaj kompanie kanë vijuar me rreth 3 milionë euro në muaj ose edhe më shumë. Deri më sot, pagesat rezultojnë rreth 31 milionë euro.
Kjo aferë është denoncuar vazhdimisht nga opozita dhe media investigative. Por ndërsa miliona euro dalin nga Thesari, SPAK vazhdon të heshtë.
Këtu kërkohet një hetim urgjent dhe i plotë mbi kontratat, procedurat, përfituesit dhe çdo lidhje të mundshme politike apo ekonomike. SPAK duhet të verifikojë edhe përgjegjësitë e mundshme të Edi Ramës, Belinda Ballukut, Ron Yefetit, Arjeta Pucës dhe çdo personi tjetër që rezulton i përfshirë nga provat.
Askush nuk është fajtor pa vendim gjykate, por askush nuk duhet të jetë mbi hetimin.
31 milionë euro kërkojnë përgjigje, jo heshtje. Dhe kur paratë lidhen me mbrojtjen e vendit, transparenca nuk është zgjedhje: është detyrim i sigurisë kombëtare.




