Riaktivizohen zjarret lagjen Abaze në Krujë, zjarrfikësi plagoset gjatë operacionit
Disa vatra zjarri janë riaktivizuar në lagjen Abaze të Krujës, duke vështirësuar situatën për shkak të erërave të forta. Dy automjete zjarrfikëse, së bashku me forcat e ushtrisë, po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.
Ndërkohë, disa vatra zjarri vijojnë të jenë aktive edhe në zonën e Bores. Gjatë operacionit për shuarjen e flakëve, një prej zjarrfikësve, Ali Tupi, është dëmtuar në këmbë. Sipas informacioneve, Tupi ka marrë plagë të lehta dhe po merr mjekim në Spitalin e Krujës. Gjendja e tij raportohet të jetë jashtë rrezikut.
Forcat zjarrfikëse dhe ato të ushtrisë vijojnë operacionin në terren, ndërsa erërat e forta mbeten një faktor që vështirëson ndërhyrjen dhe favorizon përhapjen e flakëve.


