Peleshi blen 1200 euro një karrige për të ulur Zegjinenë
Ndërsa qytetarët përballen me rritjen e kostos së jetesës, Kuvendi i Shqipërisë ka planifikuar një shpenzim prej rreth 20 milionë lekësh për blerjen e karrigeve të reja për sallën e Seancave Plenare.
Sipas dokumenteve të Regjistrit të Parashikimeve të Procedurave të Prokurimit Publik me Vlerë të Madhe për gusht 2026, të siguruara nga VNA, fondi limit për këtë procedurë është 20,000,000 lekë pa TVSH, ose rreth 200 mijë euro.
Objekti i tenderit është i përcaktuar si “Blerje karrige për sallën e Seancave Plenare”.
1,250 euro për çdo karrige
Salla e Seancave Plenare ka gjithsej 160 ulëse, nga të cilat 140 u përkasin deputetëve dhe 20 janë të rezervuara për anëtarët e Këshillit të Ministrave.
Nëse fondi i parashikuar ndahet në mënyrë të barabartë për 160 karrige, kostoja rezulton rreth:
- 20,000,000 lekë fond limit
- 160 karrige
- 125,000 lekë për karrige
- rreth 1,250 euro për një ulëse
Pra, sipas përllogaritjes mbi fondin limit, një karrige e re për sallën e Parlamentit do t’u kushtojë taksapaguesve rreth 1,250 euro.
Tenderi nga buxheti i shtetit
Dokumentet tregojnë se procedura do të financohet nga Buxheti i Shtetit dhe do të zhvillohet përmes një procedure të hapur prokurimi publik.
Kjo procedurë është një prej 25 prokurimeve me vlerë të madhe të parashikuara nga Kuvendi për vitin 2026, të cilat në total kapin vlerën 265,114,250 lekë.
Shpenzimi për karriget ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si po prioritizohen fondet publike, veçanërisht duke pasur parasysh koston e lartë të parashikuar për çdo ulëse.
Pyetja që mbetet është nëse një investim prej rreth 200 mijë eurosh për 160 karrigeishte i domosdoshëm dhe nëse Kuvendi ka vlerësuar alternativa më ekonomike për zëvendësimin e mobilimit të sallës së Seancave Plenare.



