Kompensimi 10% për fermerët, Tatimet sqarojnë kush përfiton dhe si aplikohet
Administrata Tatimore ka publikuar një seri pyetje-përgjigjesh për skemën e kompensimit në masën 10% për prodhuesit bujqësorë, duke sqaruar se cilët fermerë përfitojnë, si llogaritet vlera e kompensimit, mënyrën dhe afatet e aplikimit, si dhe problematikat që mund të hasen me faturat gjatë procedurës online. Më poshtë janë pyetjet dhe përgjigjet e publikuara nga Administrata Tatimore:
Cilat janë kushtet për të përfituar nga skema e kompensimit 10% të vlerës mbi mallrat dhe shërbimet e shitura?
Prodhuesit bujqësorë përfitojnë të drejtën e kompensimit kur:
* qarkullimi vjetor i tyre nuk tejkalon kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në;
* furnizojnë mallra apo shërbime me prejardhje nga puna e tyre;
* furnizimet kryhen ndaj personave të tatueshëm që nuk përfitojnë nga skema e kompensimit;
* janë pajisur me NIPT nga Administrata Tatimore, pa iu nënshtruar detyrimit për deklarim sipas nenit 106 të ligjit.
Çfarë është dhe si duhet ta kuptojmë vlerën e kompensimit?
Norma e kompensimit është 10% dhe aplikohet mbi çmimin pa TVSH të mallrave dhe të shërbimeve, të përcaktuara sipas shkronjës “dh”, të nenit 145 të ligjit për TVSH.
Kompensimi mbulon TVSH-në e paguar prej prodhuesve bujqësorë, të përfshirë në çmimin e blerjes së mallrave dhe shërbimeve që u janë furnizuar atyre për nevoja të aktivitetit prodhues bujqësor.
Shuma që kompensohet është rezultat i shumëzimit të normës së kompensimit me vlerën totale të produkteve dhe shërbimeve bujqësore të furnizuara nga prodhuesi bujqësor gjatë një periudhe gjashtëmujore.
Cila është mënyra e zbatimit të skemës së kompensimit?
Blerësi i produkteve bujqësore, personi i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar, sipas legjislacionit në fuqi për turizmin, lëshon një faturë tatimore për shitësin, prodhues bujqësor, për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas ligjit për TVSH.
Kompensimi i akorduar i paguhet prodhuesit bujqësor nga Administrata Tatimore. Për të përfituar këtë kompensim, prodhuesi bujqësor duhet të dorëzojë në Administratën Tatimore, nëpërmjet shërbimit postar ose në rrugë elektronike, një kërkesë për kompensim, të shoqëruar me kopje të faturave të lëshuara nga blerësi i mallrave dhe shërbimeve bujqësore, si dhe numrin e llogarisë së tij bankare.
Kërkesa për kompensim paraqitet:
* deri më 31 dhjetor, për furnizimet e kryera gjatë periudhës janar–qershor të vitit përkatës;
* deri më 30 qershor të vitit pasardhës, për furnizimet e kryera gjatë periudhës korrik–dhjetor të vitit paraardhës.
Administrata Tatimore kryen kompensimin brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
Jam fermer i regjistruar dhe, për të përfituar kompensimin në masën 10%, kam aplikuar online sipas udhëzimit të publikuar. Gjatë aplikimit nuk m’u shfaqën faturat e muajit qershor 2026. Më pas e fshiva çështjen dhe e hapa përsëri, por tani nuk më shfaqet më asnjë faturë. Si mund të zgjidhet kjo problematikë, në mënyrë që të mos humbas të drejtën për të përfituar kompensimin që më takon?
Problemi i mosshfaqjes së faturave ka ardhur si rezultat i fshirjes së çështjes së krijuar më parë në sistem. Për zgjidhjen e kësaj problematike teknike, ju lutemi t’i drejtoheni Drejtorisë Rajonale Tatimore ku jeni i regjistruar, e cila do të kryejë verifikimet dhe ndërhyrjet e nevojshme, në mënyrë që aplikimi juaj për rimbursim të vijojë normalisht.
A mund të përfitoj kompensim nëse produktet ua shes individëve që nuk janë tatimpagues?
Jo, ju nuk mund t’ua shisni produktet tuaja individëve që nuk janë të regjistruar si tatimpagues, pasi kjo është jashtë skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë. Theksojmë se prodhuesit bujqësorë nuk lëshojnë vetë fatura tatimore.
Kur një prodhues bujqësor kërkon të lëshojë vetë fatura për individë të paregjistruar apo konsumatorë finalë, ai ka detyrimin të regjistrohet pranë QKB-së si tatimpagues për ushtrimin e aktivitetit privat, duke zbatuar rregullat ligjore si çdo tatimpagues tjetër në Republikën e Shqipërisë.
Kam aplikuar për përfitimin e kompensimit 10% për fermerët, por nuk kam përfshirë të gjitha faturat. A mund të korrigjoj kërkesën ekzistuese ose të paraqes një kërkesë tjetër online për faturat e mbetura? Nëse kjo nuk është e mundur, si mund të përfitoj kompensim edhe për faturat që nuk janë përfshirë në aplikimin e parë?
Një çështje e dorëzuar dhe e regjistruar me numër unik identifikimi në e-Filing nuk mund të ndryshohet apo plotësohet më pas. Megjithatë, brenda afatit të aplikimit (31.12.2026) dhe pasi çështja e parë të jetë me status “Përfunduar”, fermeri mund të aplikojë përsëri duke hapur një çështje të re online dhe të përzgjedhë vetëm faturat për të cilat nuk ka përfituar kompensim./ekofin.al


