Gjykata do të vendosë me 16 shtator : Shanset për lirimin e Thaçit mbeten të hapura, por jo të sigurta
Beqir SINA – New York
Wesley Clark: “Dëshmia ime është e vërteta. Unë them atë që di. Gjykata do të vendosë se si e përdor atë të vërtetë”
Gjenerali i pensionuar amerikan Wesley Clark, ish-komandanti suprem i NATO-s, dëshmoi në nëntor 2025 në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësve të tjerë të UÇK-së.
Katër vjet më parë, në shtator 2022, në Staten Island të Nju Jorkut, gjatë një interviste për Televizionin e Shqiptarve të Amerikës, Clark, kishte premtuar saktësisht të njëjtën gjë, të dëshmonte të vërtetën që dinte për krimet e forcave serbe në Kosovë.
Fjalët e tij të atëhershme u bënë realitet në sallën e gjyqit. Tani, më 16 shtator 2026, pritet shpallja e aktgjykimit në këtë proces që zgjat gati gjashtë vjet, dhe ish-Presidenti i Kosovës të shpallet i pafajshëm.
Në intervistën e 2022-shit, Clark tha qartë: “Unë do të dëshmoj për atë që forcat serbe bënë në Kosovë në 1998 dhe 1999…
Dëshmia ime është e vërteta. Unë them atë që di. Gjykata do të vendosë se si e përdor atë të vërtetë.” Ai theksoi se nuk do të dëshmonte kundër Thaçit apo udhëheqësve të UÇK-së, por për kontekstin e plotë të spastrimit etnik, vrasjeve, djegies së fshatrave dhe zhvendosjes së mbi 800 mijë njerëzve.
Kjo ishte arsyeja e ndërhyrjes së NATO-s. “Pa NATO-n, do të kishte qenë gjenocid,” deklaroi ai.
Në Hagë, më 17 dhe 18 nëntor 2025, Clark e përsëriti këtë linjë.
Ai përshkroi UÇK-në si një organizatë rudimentare, të formuar nga grupe lokale që reagonin ndaj shtypjes serbe, veçanërisht pas masakrës së familjes Jashari.
Sipas tij, nuk ekzistonte një strukturë e qartë komande dhe kontrolli.
Thaçin ai e përshkroi si zëdhënës të pastër, më perëndimor, që nuk dukej si luftëtar i pyllit dhe që “qartësisht nuk ishte në krye” të forcave në terren.
Ai kujtoi takimin e tetorit 1998 me Millosheviçin në Beograd, ku diktatori i tha: “Ne kemi bërë këtë më parë. Në Kroaci, në Bosnje. Ne dimë si t’i trajtojmë këta njerëz.”
Clark e paralajmëroi se bota po e shikonte Kosovën me kamera kudo dhe se do të reagonte. Millosheviçi nuk e dëgjoi.
Dëshmia e Clarkut lidhet drejtpërdrejt me atë që tha në 2022, kontekstin e fushatës serbe të terrorit dhe rolin e NATO-s.
Ai theksoi se Rambouille ishte mundësia e fundit për paqe, të cilën shqiptarët e pranuan, ndërsa Millosheviçi e refuzoi për të vazhduar spastrimin.
Në sallën e gjyqit, si në intervistë, ai mbrojti të njëjtën të vërtetë që dinte atëherë.
Procesi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit nisi në prill 2023.
Prokuroria mbylli provat në prill 2025, mbrojtja në dhjetor 2025, dhe deklaratat përmbyllëse në shkurt 2026. Aktgjykimi, i shtyrë dy herë për shkak të vëllimit të provave, është caktuar për 16 shtator 2026. Thaçi ka deklaruar se pret të shpallet i pafajshëm nga çdo akuzë.
Shanset për lirimin e Thaçit mbeten të hapura, por jo të sigurta.
Dëshmitë e figurave të larta si Clark dhe Rubin, që theksuan mungesën e strukturës komanduese dhe rolin politik të tij, forcojnë argumentet e mbrojtjes.
Megjithatë, prokuroria ka kërkuar dënime deri në 45 vjet, ndërsa çështja e veçantë për pengim të drejtësisë mund të vonojë lirimin e menjëhershëm edhe në rast pafajësie. Opinionet në Kosovë janë kryesisht në favor të shpalljes së pafajshëm.
Fjalët e Clarkut, të shqiptuara fillimisht në Nju Jork dhe më pas në Hagë, mbeten të njëjta, e vërteta që ai dinte në 1998-1999 është se forcat serbe kryenin terror kundër popullsisë civile.
Gjykata do të vendosë me 16 shtator.
Por historia e dëshmisë së tij tregon se e kaluara nuk harrohet lehtë, edhe kur vjen dita e vendimit.
Gjykata do të vendosë. Por historia e dëshmisë së tij tregon se e kaluara nuk harrohet lehtë, edhe kur vjen dita e vendimit.


