Bota

Grabitje spektakolare në Spanjë, hajdutët vjedhin një nga thesaret më të rrallë të epokës së bronzit në Europë

Një prej thesareve më të rëndësishme parahistorike në Europë është grabitur në një operacion që zgjati vetëm pak minuta. Hajdutët kanë marrë pjesën më të madhe të Thesarit të Villenës, një koleksion të rrallë artefaktesh të epokës së bronzit.

Grabitja ndodhi të enjten në orët e para të mëngjesit në Muzeun e Villenës, në provincën e Alicante-s. Alarmi i muzeut u aktivizua rreth orës 05:20, ndërsa sipas autoriteteve, hajdutët u larguan nga ndërtesa vetëm katër minuta më vonë.

Operacioni është përshkruar nga zyrtarët si “jashtëzakonisht i shpejtë dhe profesional”.

“Kanë marrë pjesën më të madhe të thesarit”, deklaroi kryebashkiaku i Villenës, Fulgencio Cerdán, i cili tha se grabitja ka shkaktuar tronditje të madhe te banorët.

“Jemi absolutisht të shkatërruar. Është pjesë e trashëgimisë dhe pasurisë sonë”, u shpreh ai.

Thesari i Villenës u zbulua në vitin 1963 nga arkeologu José María Soler. Koleksioni përbëhet nga 66 objekte, shumica prej ari, që datojnë rreth vitit 1000 para Krishtit.

Në mesin e tyre ndodheshin 29 byzylykë, 11 kupa, tre shishe dhe një sërë objektesh të tjera dekorative.

Disa prej artefakteve kanë materiale jashtëzakonisht të rralla. Studiuesit kanë ngritur dyshime se disa objekte mund të jenë krijuar nga hekur meteoritik, një material tepër i rrallë për periudhën.

Që prej majit 2024, thesari ishte ekspozuar në një sallë të posaçme në Muzeun e Villenës.

Vlera e plotë historike dhe arkeologjike e koleksionit është e pallogaritshme. Megjithatë, vetëm ari i objekteve vlerësohet në rreth 1.7 milionë euro.

Hajdutët dyshohet se hynë në muze përmes një dritareje, pasi mbërritën me disa automjete.

Autoritetet spanjolle kanë nisur hetimet për të zbardhur grabitjen dhe për të identifikuar autorët.

Grabitje spektakolare në Spanjë, hajdutët vjedhin një nga

Hetuesit po shqyrtojnë edhe një alarm tjetër që u aktivizua pak para grabitjes në qendrën sportive të qytetit. Dyshimi kryesor është se alarmi mund të ketë qenë një diversion për të larguar vëmendjen e autoriteteve nga muzeu.

Profesori i arkeologjisë në Universitetin e Alicante-s, Mauro Hernández, tha se mënyra se si u krye grabitja tregon se autorët kishin përgatitur gjithçka me kujdes.

“E kishin planifikuar shumë mirë. E dinin si ta bënin, si të vepronin dhe si të arratiseshin”, deklaroi Hernández.

Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të gjurmojnë artefaktet e vjedhura dhe të identifikojnë personat përgjegjës për një prej grabitjeve më të bujshme të trashëgimisë ar.