Politikë

Mbledhja me ministrat dhe drejtuesit politikë, Rama zbulon çfarë u diskutua te “Vila e Kuqe”

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar detaje nga takimi i mbajtur sot me ministrat dhe drejtuesit politikë të qarqeve te “Vila e Kuqe” në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka shkruar se në fokus të mbledhjes ishte detajimi i programit të sezonit të ri, duke nisur nga kalendarizimi i Pranisë Besnike në çdo territor, te hartimi i ndryshimeve ligjore për PasqyrAlbania.

Po ashtu sipas kryeministrit u diskutua mbi mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri – deputetë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve publike qendrore e vendore.

“Vijuam sot punën intensive për detajimin e programit të sezonit të ri, duke nisur nga kalendarizimi i Pranisë Besnike në çdo territor, mekanizmat e rinj të ndërveprimit qeveri – deputetë në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të shërbimeve publike qendrore e vendore, si edhe hartimi i ndryshimeve ligjore për PasqyrAlbania”, tha Rama.

“Po ashtu u diskutua progresi i bërë me hartimin e nismës  së integruar Shqipëria Sociale, të cilës do t’i kushtohet një Konferencë e posaçme Kombëtare në muajin nëntor”, përfundoi Rama.