Zbardhet kalendari i Champions League/ Supersfida që në start, Real-Inter hap spektaklin europian
Është përcaktuar kalendari i fazës së ligës në Champions League për sezonin 2026/27, duke kompletuar rrugëtimin që skuadrat do të ndjekin në tetë javët e kësaj faze.
Ndeshjet do të nisin më 8 shtator 2026 dhe faza e ligës do të ulë siparin më 27 janar 2027, kur do të përcaktohet edhe renditja përfundimtare.
Spektakli nis menjëherë. Më 8 shtator, Real Madrid do të presë Interin në një prej përballjeve më të forta të javës së parë. Në të njëjtën mbrëmje janë programuar Porto–Manchester City dhe Borussia Dortmund–Villarreal.
Një ditë më vonë radha do t’i vijë Barcelonës, që përballet me Feyenoordin, ndërsa Liverpool–Atletico Madrid dhe Napoli–Arsenal janë dy nga sfidat e tjera që tërheqin vëmendjen. Paris Saint-Germain do të luajë kundër Slovan Bratislavës.

Tetori sjell të tjera përplasje mes emrave të mëdhenj. Interi do të presë Manchester United më 13 tetor, ndërsa Galatasaray përballet me Barcelonën dhe Manchester City me PSG-në. Më 14 tetor, Roma do të ketë përballë Real Madridin.
Kalendari bëhet edhe më i ngjeshur në nëntor. Barcelona–Aston Villa, Borussia Dortmund–Real Madrid dhe Liverpool–Fenerbahçe janë mes sfidave të programuara për javën e katërt, ndërsa më 24 nëntor vijnë Arsenal–Borussia Dortmund dhe Manchester City–Napoli.

Një nga mbrëmjet më të forta pritet më 8 dhjetor, kur Barcelona do të presë Manchester Cityn. Një ditë më vonë luhen Arsenal–Real Madrid, Borussia Dortmund–Inter dhe Liverpool–Porto.
Pas pushimit të fundvitit, Champions League rikthehet në janar për dy aktet e fundit. Më 19 dhe 20 janar spikasin Inter–Liverpool, Manchester United–Bayern Munich, Sporting–Barcelona dhe Aston Villa–Borussia Dortmund.
Faza e ligës mbyllet më 27 janar me të gjitha skuadrat që luajnë ndeshjet e fundit. Barcelona–Como, Bayern Munich–Real Betis, PSG–Galatasaray, Liverpool–RC Lens, Manchester City–Sporting dhe Villarreal–Manchester United janë disa prej takimeve që do të mbyllin fazën e parë të Champions League 2026/27.


