Tragjike në Tiranë/ 36-vjeçari hidhet nga kati i pestë, arrestohet babai i ish-bashkëjetueses: Dyshohet se shkaktoi vetëvrasjen e tij
Gerald Sefa, 36 vjeç, i dha fund jetës një ditë më parë, duke u hedhur nga kati i pestë i një pallati në zonën e Alliasit në Tiranë. Për ngjarjen, policia ka arrestuar Sajmir Demirin, babain e ish-bashkëjetueses së 36-vjeçarit, i cili akuzohet për shkaktimin e vetëvrasjes.
Sipas hetimeve, dy ditë para ngjarjes, Demiri dyshohet se është përfshirë në një debat me 36-vjeçarin, duke i kërkuar llogari për ndarjen nga vajza e tij. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se debatet dhe presioni i dyshuar i vazhdueshëm ndaj Sefës janë një nga pistat kryesore që po verifikohet lidhur me ngjarjen.
Fillimisht, policia hetoi edhe pistën e një vrasjeje të mundshme. Në banesën ku ndodhi ngjarja u gjet një thikë me njolla gjaku, çka ngriti dyshime për një skenar tjetër. Por, sipas burimeve, ekspertiza ka zbuluar gjurmë gishtash të Gerald Sefës në thikë. Nga hetimet dyshohet se 36-vjeçari fillimisht ka tentuar të dëmtojë veten me thikë dhe më pas është hedhur nga kati i pestë.
Banesa ku ndodhi ngjarja ishte në pronësi të një familjari të Sefës, i cili ia kishte lënë 36-vjeçarit për të jetuar. Ndërkohë, kamerat e sigurisë kanë dokumentuar hyrjen e Sefës në pallat. Nga pamjet rezulton se ai ka hyrë i vetëm në ndërtesë, tjetër element që po analizohet nga grupi hetimor për të zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes.




