Aktualitet

Si po i zhvat Iute shqiptarët me 5 mijë lekë gjobë në ditë për vonesat

Fasada e dixhitalizimit modern dhe lehtësisë në marrjen e financimeve fsheh shpesh një realitet të zymtë për qytetarët.

Institucioni financiar Iute Credit është një prej tyre dhe që vazhdimisht përballet me denoncime të rënda nga klientët, të cilët e cilësojnë skemën e kredidhënieve si një formë “haraçi financiar”.

Një prej rasteve më të fundit, i denoncuar nga një qytetar i dëmtuar, zbulon peshën e rëndë të kamatvonesave që aplikon kjo kompani. Në denoncimin e tij ai shpreh revoltimin e thellë ndaj tarifave abuzive duke u shprehur se Iute po “i pin gjakun” duke i marrë 5 mijë lekë të vjetra çdo ditë për kamatvonesë.

Për ta ilustruar më qartë këtë situatë zhvatëse, qytetari tregon se nga 180 mijë lekë që e kishte këstin mujor, është detyruar të paguajë 15 mijë lekë më shumë për vetëm tre ditë vonesë.

Na pinë gjakun duke na marrë 5 mijë lekë të vjetra çdo ditë për kamatvonesë. A ka shtet të vërë dorë mbi popullin? Çfarë do të bëhet me këtë IuteCredit? OK, kemi nevojë, marrim fonde, por nuk u del ajo përqindje që marrin nga kësti mujor? Nëse vonohesh një ditë nga data e pagesës, e ke 5 mijë lekë të vjetra në ditë. Nuk është normale!”

Pas këtij sistemi, i cili sipas denoncimeve të ngritura rëndon në mënyrë të padrejtë mbi konsumatorët shqiptarë, ka përgjegjës konkretë që duhet të japin shpjegime publike dhe për shkeljet e kryera të mbajnë edhe përgjegjësi ligjore. Akan Ajdini, Anis Hoxha dhe Dritan Abazi nuk mund të mbeten thjesht pas strukturave dhe emrave të kompanive financiare; roli dhe përgjegjësitë e tyre duhet të bëhen objekt transparence dhe verifikimi.

Banka e Shqipërisë dhe Autoriteti i Konkurrencës kanë detyrimin të verifikojnë çdo praktikë që mund të ngrejë dyshime për shkelje të rregullave të tregut, mbrojtjes së konsumatorit apo kushteve kontraktuale. Nëse këto denoncime rezultojnë të bazuara, atëherë duhet të ketë hetim dhe përgjegjësi konkrete.

Çdo detyrim i vendosur përmes kushteve që konsumatori nuk i ka kuptuar qartë ose që mund të jenë në kundërshtim me ligjin duhet të shqyrtohet me transparencë. Konsumatori nuk mund të mbetet pala më e pambrojtur në një marrëdhënie financiare ku kushtet dhe pasojat ekonomike nuk janë të qarta.