Luiza Hoxhaj: Muzeu Etnografik dhe ish-Klubi Patriotik “Labëria” nuk duhet të mbeten në hije, as fizikisht dhe as në leximin historik të kësaj hapësire
Letër e hapur – muzeun etnografik të Vlorës: ta ruajmë, ta rijetësojmë!
Të nderuar drejtues të institucioneve,
Reagimet qytetare të ditëve të fundit, sensibilitetet e ndryshme, mendimet e profesionistëve dhe përfaqësuesve të organizatave, por edhe diskursi publik e politik që po zhvillohet rreth ndërhyrjeve në Qendrën Historike të Vlorës, më kanë nxitur të reflektoj dhe ta ndaj publikisht mendimin tim.
Nuk synoj të përfaqësoj të gjitha këto qëndrime dhe as ndaj domosdoshmërisht çdo argument të shprehur në kuadër të tyre. Por besoj se vetë ekzistenca e sensibiliteteve kaq të ndryshme është arsye e mjaftueshme që çështja të mos reduktohet në një ndarje të thjeshtë “pro” ose “kundër” një muzeu.

Nuk e shoh kështu problemin.
Pyetja për mua është më e gjerë: si mund të nderojmë një histori pa zbehur një tjetër dhe si mund të ndërhyjmë në një hapësirë historike pa humbur hierarkinë, autenticitetin dhe kujtesën që ajo ka trashëguar?
Vendimmarrja është bërë dhe punimet kanë nisur. Por fakti që një proces ka hyrë në fazën e zbatimit nuk do të thotë se vendimmarrja nuk mund të rishikohet, nëse gjatë rrugës lindin pikëpyetje të arsyeshme mbi ndikimin e saj në trashëgiminë historike, mbi autenticitetin, proporcionalitetin apo marrëdhënien me tërësinë e ansamblit.
Pikërisht për këtë arsye, propozoj që të rishikohet jo vetëm mënyra e zbatimit të projektit, por, aty ku argumentet historike, urbanistike dhe muzeologjike e kërkojnë, edhe vetë vendimmarrja mbi konceptin, funksionin dhe vendndodhjen e tij.
Rishikimi nuk do të thotë domosdoshmërisht kthim pas. Mund të nënkuptojë gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë përpara se një ndërhyrje e sotme të bëhet një realitet i pakthyeshëm për nesër.
Një institucion nuk e dobëson autoritetin e tij kur reflekton mbi një vendim. Përkundrazi, gatishmëria për të dëgjuar, për të vlerësuar argumente të reja dhe, kur është e nevojshme, për të korrigjuar një zgjedhje është shenjë e një vendimmarrjeje të përgjegjshme.

Të shohim të tërën përpara pjesës
Muzeu Etnografik, godina historike ku në vitin 1908 u krijua Klubi Patriotik “Labëria”, Shtëpia e Sharrajve dhe ndërtesat e tjera historike përreth nuk janë objekte të izoluara. Ato formojnë një ansambël dhe krijojnë së bashku një marrëdhënie arkitekturore, urbane dhe historike.
Vlera e tyre nuk qëndron vetëm tek secila godinë më vete, por edhe te mënyra se si ato lexohen së bashku. Prandaj, çdo ndërhyrje e re duhet të vlerësohet jo vetëm për cilësinë e saj individuale, por për ndikimin që krijon mbi të tërën: volumet, lartësitë, materialet, fasadat, ndriçimin, fushëpamjet dhe hierarkinë vizuale të ansamblit.
Në këtë kuptim, ndërhyrja në Shtëpinë e Sharrajve nuk duhet parë vetëm në raport me funksionin e ri që do të marrë ajo, por edhe me transformimin e vetë godinës historike dhe me marrëdhënien që shtesat dhe volumet e reja krijojnë me objektet përreth.
Muzeu Etnografik dhe ish-Klubi Patriotik “Labëria” nuk duhet të mbeten në hije — as fizikisht dhe as në leximin historik të kësaj hapësire.

Klubi “Labëria”: ta ruajmë, por edhe ta rijetësojmë
Ruajtja e trashëgimisë nuk duhet kuptuar si ngrirje e së shkuarës.
Një godinë historike ruhet jo vetëm kur restaurohen muret e saj. Ajo ruhet edhe kur arrijmë të mbajmë gjallë frymën dhe funksionin shoqëror që ka pasur. Dhe historia e Klubit “Labëria” na jep vetë një ide për të ardhmen e tij.
Ai nuk ishte thjesht një godinë. Ishte hapësirë organizimi qytetar, kulture, edukimi dhe veprimtarie patriotike.
Në vitin 1910, në këtë godinë, Marigo Posio hapi shkollën shqipe për vajzat e Vlorës. Këtu dija përcillej nga një brez te tjetri. Edukimi ishte njëkohësisht emancipim dhe ruajtje e identitetit.
Pse të mos e rijetësojmë sot këtë frymë?
Nëse Qendra Historike e Vlorës ka nevojë për një qendër aktive të kulturës, edukimit, traditës dhe dialogut qytetar, mendoj se duhet të fillojmë pikërisht nga Klubi “Labëria” — jo duke i shpikur një funksion të ri, por duke rijetësuar në kushtet e sotme funksionin që vetë historia i ka dhënë. Një pjesë e tij mund të rikthehet në një odë debati, mendimi dhe aktiviteti qytetar. Dhe pse jo, në një “Shkollë të Traditës”, ku mjeshtrit e gjallë të Vlorës dhe Labërisë t’ua përcjellin dijen brezave të rinj.
Vlora i ka ende këta njerëz. Një prej tyre është mjeshtri Vendim Kapaj[i], njohës dhe interpretues i instrumenteve tradicionale frymore të Labërisë — culës dyjare, fyellit dhe pipizanës — i cili ua mëson ato edhe fëmijëve.
Një shekull më parë, vajzat e Vlorës hynin në këtë godinë për të mësuar shqip. Sot, fëmijët e Vlorës mund të hyjnë aty për të mësuar një instrument, një këngë, një mjeshtëri, një element të kulturës që u përket.
Ndryshon ajo që mësohet; vazhdon akti i transmetimit. Atëherë muzeu nuk është më vetëm vendi ku shkojmë për të parë çfarë kemi qenë. Bëhet vendi ku mësojmë si ta çojmë më tej atë që jemi.

Ky është, për mua, kuptimi i rijetësimit.
Historia hebraike është pjesë e historisë së Vlorës
Historia e një qyteti nuk përbëhet vetëm nga ngjarjet apo njerëzit që ne zgjedhim të nderojmë. Ajo ndërtohet nga të gjitha shtresat që koha ka lënë mbi të. Historia antike, romake, bizantine, mesjetare, osmane, prania dhe kalimi i popullsive e komuniteteve të ndryshme, Rilindja Kombëtare, Pavarësia, Lufta e Vlorës dhe zhvillimet e mëvonshme janë pjesë të historisë së qytetit.
Edhe prania hebraike është një prej këtyre shtresave dhe meriton të dokumentohet e të përcillet me seriozitet.
Në rastin e saj kemi edhe një dimension tjetër të çmuar: një histori të mikpritjes dhe bashkëjetesës në periudha të ndryshme, e cila në momentin më të errët të përndjekjes naziste u shndërrua në mbrojtje dhe shpëtim.
Kjo është një histori që duhet treguar.
Pyetja, pra, nuk është nëse ajo “meriton” apo jo të jetë pjesë e kujtesës së qytetit. Pyetja është si ta tregojmë në përmasën, kontekstin dhe marrëdhënien e duhur me tërësinë e historisë së Vlorës.
Pikërisht për këtë arsye, propozimi im i parë mbetet që historia e pranisë hebraike dhe e marrëdhënieve shqiptaro-hebraike të ketë një pavijon të posaçëm brenda Muzeut Historik të Vlorës. Atje ajo mund të vendoset në marrëdhënie me shtresat e tjera të historisë së qytetit, pa u zvogëluar dhe pa u shkëputur prej saj.
Të forcojmë të tërën dhe, përmes saj, pjesën.
Jo vetëm prani, por marrëdhënie
Edhe narrativa meriton reflektim.
Historia që kemi për të treguar nuk është vetëm historia e një komuniteti që ka jetuar në Vlorë. Është edhe historia e mënyrës se si ai u prit, e marrëdhënieve që krijoi me qytetin dhe, në momentet më të vështira, e njerëzve që hapën dyert dhe morën mbi vete rrezikun për të mbrojtur jetë njerëzore.
Prandaj, qoftë brenda Muzeut Historik, qoftë — nëse pas rishikimit ruhet zgjedhja për një muze të posaçëm — do të më dukej më përfaqësuese një narrativë e ndërtuar rreth pranisë, mikpritjes, Besës, mbrojtjes dhe shpëtimit.
Në rastin e një muzeu të posaçëm, mund të reflektohet edhe mbi një koncept si “Muzeu i Besës dhe Shpëtimit” apo “Muzeu i Besës Vlonjate”.
Jo për ta zëvendësuar historinë hebraike me një histori vetëlavdëruese shqiptare, por për të treguar pikërisht marrëdhënien ndërmjet tyre. Besa, në këtë narrativë, nuk ndan dy histori. Ajo i lidh ato.

A duhet e gjithë kujtesa të kondensohet në një pikë?
Këtu mendoj se duhet të shtrojmë edhe një pyetje tjetër.
A është e nevojshme që të gjitha shtresat e kujtesës së Vlorës të përqendrohen fizikisht në të njëjtën hapësirë të Qendrës Historike?
Vlora i ka vetë vendet e saj të kujtesës.
Rruga e Hebrenjve është një prej tyre. Ajo është një hapësirë historike e qytetit që tashmë mbart kujtesën e pranisë hebraike. Pse të mos rijetësohet edhe ajo?
Mund të shndërrohet në një hapësirë të gjallë interpretimi, ku përmes dokumenteve, historive të familjeve, fotografive, dëshmive, guidave dhe mjeteve bashkëkohore të tregohet prania hebraike në Vlorë, bashkëjetesa me qytetin, mikpritja dhe mbrojtja.
Në këtë mënyrë, kujtesa nuk do të kondensohej artificialisht në një pikë të vetme. Ajo do të ndiqte gjeografinë reale të historisë së qytetit.
Klubi “Labëria” mund të rijetësohet si qendër aktive e kulturës, edukimit, traditës dhe dialogut qytetar. Rruga e Hebrenjve mund të rijetësohet si vend i kujtesës dhe interpretimit të pranisë hebraike dhe të marrëdhënieve shqiptaro-hebraike.
Vende të tjera autentike të lidhura me këtë histori mund të bëhen pjesë e të njëjtit itinerar. Muzeu Historik mund t’i lidhë këto shtresa në rrëfimin e përgjithshëm. Dhe qyteti vetë mund të bëhet muzeu që i bashkon.
Jo çdo histori ka nevojë të zhvendoset në të njëjtën godinë për t’u bërë e dukshme. Ndonjëherë mënyra më autentike për ta treguar është ta lësh të flasë aty ku ka ndodhur.
Çfarë po ruajmë dhe çfarë po krijojmë?
Kjo më çon te një çështje tjetër që kërkon transparencë.
Projekti i Muzeut Hebraik Shqiptar është prezantuar publikisht jo vetëm si muze, por edhe si një qendër kulturore active (cultural hub), me funksione edukimi dhe aktivitetesh.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme pyetjen për raportin e tij me ansamblin ku vendoset. Nëse një qendër e re aktive kulturore krijohet pranë një institucioni historik që vetë ka lindur si qendër aktive kulture, edukimi dhe veprimi qytetar, a nuk duhet të pyesim më parë nëse kemi rijetësuar atë që historia na ka lënë tashmë?
Po kështu, punimet aktuale dhe ndërhyrjet që po realizohen në afërsi të Muzeut Etnografik dhe ish-Klubit “Labëria” kërkojnë informacion të plotë publik mbi natyrën dhe funksionin e tyre.
Nëse ndonjë element i projektit synon të rikrijojë apo të evokojë një sinagogë historike, mbi çfarë evidence dokumentare, hartografike apo arkeologjike mbështetet lokalizimi dhe forma e saj?
Nëse kemi të bëjmë me një element të ri arkitektonik apo muzeal, edhe kjo duhet të thuhet qartë. Sepse ekziston një dallim thelbësor ndërmjet restaurimit të një objekti historik, rikonstruksionit mbi evidencë të dokumentuar dhe krijimit të një elementi të ri që simbolizon apo interpreton një histori.
Të gjitha mund të jenë zgjedhje muzeale. Por nuk janë e njëjta gjë.
Ajo që ndërtojmë sot mund të bëhet nesër vetë referencë për mënyrën se si brezat e ardhshëm do ta lexojnë të shkuarën. Prandaj kemi përgjegjësi jo vetëm për atë që ruajmë, por edhe për atë që krijojmë sot si kujtesë për nesër.
Debati qytetar meriton të dëgjohet, jo të etiketohet
Reagimin qytetar që ka shoqëruar këtë projekt e shoh, para së gjithash, si ushtrim të së drejtës së publikut për t’u informuar, për t’u shprehur dhe për t’u dëgjuar për çështje që prekin qytetin dhe trashëgiminë e tij.
Në këtë kuptim e mbështes atë si një akt qytetar të ligjshëm, pa pretenduar se ndaj çdo mendim apo argument individual të shprehur në kuadër të tij.
Pikërisht për këtë arsye, nuk mendoj se shqetësimet apo kundërshtimet ndaj një projekti duhet të interpretohen në tërësi si antisemitizëm apo si nxitje e konflikteve ndëretnike.
Antisemitizmi është një çështje serioze dhe çdo shfaqje konkrete e tij duhet trajtuar si e tillë. Por pikërisht serioziteti i termit kërkon që ai të mos përdoret pa dallim për pyetje që lidhen me një projekt, vendndodhjen e tij, një ndërhyrje arkitektonike apo një koncept muzeal.
Historia e marrëdhënieve të shqiptarëve me hebrenjtë, e mikpritjes, bashkëjetesës dhe veçanërisht e mbrojtjes së tyre në momentet më të vështira, na jep arsye të mjaftueshme që këtë debat ta zhvillojmë me qetësi dhe respekt reciprok.
Kjo histori nuk duhet përdorur për ta mbyllur debatin e sotëm. Duhet të na japë sigurinë për ta zhvilluar atë. Respekti për historinë hebraike dhe kujdesi për trashëgiminë historike të Vlorës nuk janë qëndrime që përjashtojnë njëri-tjetrin.
Një ftesë për transparencë, reflektim dhe rishikim
Vendimet janë marrë dhe punimet kanë nisur. Por kjo nuk e bën reflektimin të vonuar dhe as rishikimin të pamundur.
Bëhet fjalë për një trashëgimi që nuk i përket vetëm së sotmes.
Prandaj propozoj publikimin dhe prezantimin e qartë të projektit të plotë — arkitekturor, strukturor dhe muzeologjik — si dhe zhvillimin e një dëgjese publike ku të dëgjohen historianë, arkitektë, muzeologë, specialistë të trashëgimisë, organizata dhe qytetarë.
Një proces i tillë nuk do ta dobësonte vendimmarrjen. Përkundrazi, do ta bënte më të informuar.
Ndoshta informacioni i plotë do të sqarojë një pjesë të shqetësimeve. Ndoshta disa prej tyre do të rezultojnë të pabazuara. Ndoshta të tjera do të evidentojnë elemente që duhen korrigjuar. Dhe ndoshta vetë rishikimi do të tregojë se një zgjidhje tjetër mund t’u shërbejë më mirë të gjitha vlerave që kërkojmë të mbrojmë. Pikërisht për këtë shërben dialogu.
Nuk po propozoj të heqim një histori për të ruajtur një tjetër. Po propozoj të kërkojmë një zgjidhje që të na lejojë të ruajmë dhe të pasurojmë sa më shumë nga ajo që kemi.
Të ruajmë Shtëpinë e Sharrajve dhe integritetin e ansamblit historik.
Të ruajmë dhe rijetësojmë Muzeun Etnografik dhe Klubin “Labëria”, duke i rikthyer këtij të fundit edhe funksionin e tij aktiv kulturor, edukativ dhe qytetar.
Të dokumentojmë me dinjitet praninë hebraike dhe historinë e marrëdhënieve shqiptaro-hebraike.
Të rijetësojmë Rrugën e Hebrenjve dhe vendet autentike të kësaj kujtese.
T’i lidhim këto vende në një itinerar që e shtrin historinë në qytet, në vend që ta kondensojë atë artificialisht në një pikë të vetme.
Të dallojmë qartë atë që është trashëgimi historike nga ajo që krijojmë sot për ta interpretuar atë.
Dhe të mos i vendosim historitë e Vlorës në konkurrencë me njëra-tjetrën.
Pjesa duhet ta pasurojë të tërën, jo ta zëvendësojë apo ta eklipsojë atë.
Vlora nuk ka nevojë të zgjedhë midis kujtesave të saj. Ka nevojë t’i njohë, t’i ruajë dhe t’i vendosë në marrëdhënien e duhur me njëra-tjetrën. Sepse trashëgimia nuk na është dhënë për të zgjedhur se cilën pjesë të saj do të ruajmë. Na është besuar që ta përcjellim më tej.
Ta ruajmë. Ta rijetësojmë. Dhe ta pasurojmë pa humbur atë që kemi.
Me respekt dhe besim,
Luiza Hoxhaj
Qytetare e Vlorës


