Frank Shkreli: Aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkon një Shqipëri të fortë
Nga delegacioni i parë amerikan në Shqipëri, në mars/prill 1991, te ardhja e ambasadorit Eric Wendt në Tiranë: “Një kapitull i ri nisi për Shqipërinë”
Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*
Ka momente në jetën e një personi që nuk maten vetëm me datat në kalendar. Ato mbeten në kujtesë sepse shënojnë një kthesë. Për mua, një nga momente të tilla ishte marsi-prilli i vitit 1991, kur, pak pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, pata privilegjin të isha pjesë e delegacionit të parë amerikan që mbërriti në Shqipëri. Më 15 mars 1991, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rivendosën marrëdhëniet diplomatike pas një ndërprerjeje prej më shumë se gjysmë shekulli. Pak më pas, një delegacion amerikan mbërriti në Shqipëri për të hedhur themelet e pranisë së re diplomatike amerikane në vend, pas shembjes sës Murit të Berlinit. 50-vjet Shqipëria priti. Isha aty. Ishte një moment historik për marrëdhëniet mes dy vendeve tona, dhe për shqiptarët që për dekada kishin parë Amerikën si simbol të lirisë, demokracisë dhe shpresës. Shqipëria sapo kishte filluar të dalë nga diktatura komuniste. Institucionet demokratike ishin në fillimet e tyre. Shoqëria shqiptare po përjetonte një transformim të jashtëzakonshëm dhe askush nuk mund ta dinte me siguri se si do të zhvillohej ky process në të ardhmeen. Por një gjë ishte e qartë: Amerika ishte kthyer në Shqipëri. Frank Shkreli: Në 35-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Roli i Ambasadorit të parë amerikan në Tiranë, Z. William Ryerson | Gazeta Telegraf
![]()
Sot, 35 vjet më vonë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaroi — se me arritjen në Tiranë të ambasadorit të ri amerikan, Eric P. Wendt — “një kapitull i ri nis në Shqipëri”. Kjo shprehje, më sjell, natyrshëm, në kujtesë atë fillimin e madh të vitit 1991. Por këtë herë pyetja është ndryshe. Nuk është më — vetëm — se çfarë mund të bëjë Amerika për Shqipërinë? Sot, 35 vite më vonë, pyetja duhet të jetë edhe se çfarë duhet të bëjë sot Shqipëria për ta bërë edhe më të fortë aleancën e saj historike me Shtetet e Bashkuara? Po, sot Shtetet e Bashkuara kanë në Shqipëri një ambasador të ri, në një kohë të re. Eric Wendt mbërriti në Tiranë me një përvojë të gjatë në ushtrinë amerikane dhe në strukturat e NATO-s. Para Senatit amerikan, ai identifikoi ndër prioritetet e tij luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri, si dhe zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike dhe krijimin e një klime transparente për investitorët amerikanë. Këto janë çështje që lidhen drejtpërdrejt me politikën e brendshme shqiptare. Dhe kjo është ajo që e bën ardhjen e ambasadorit të ri një moment të rëndësishëm për Tiranën. Sepse një marrëdhënie strategjike nuk mund të mbahet vetëm mbi deklarata miqësie, fotografi zyrtare apo marrëveshje ushtarake. Ajo kërkon institucione të forta.
![]()
Shtetet e Bashkuara mund të ndihmojnë, por Shqipëria duhet të bëjë pjesën e saj. Gjatë këtyre dekadave, Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë në Shqipëri, në demokratizim, në forcimin e institucioneve, në reformën në drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, në siguri dhe në integrimin euroatlantik. Shqipëria është sot anëtare e NATO-s. Por një aleat i fortë nuk është vetëm ai që merr ndihmë nga aleati i tij. Është edhe ai që ndërton një shtet të aftë për të kontribuar në sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë e përbashkët. Këtu qëndron përgjegjësia shqiptare. Washingtoni mund të ofrojë ekspertizë, mbështetje dhe bashkëpunim, ashtu siç ka ndodhur gjatë 35-viteve të kaluara. Por Amerika nuk mund të ndërtojë institucionet demokratike shqiptare në vend të vet shqiptarëve. Këtë duhet ta bëjë Shqipëria. Shteti ligjor duhet të jetë mbi pushtetin. Nëse institucionet e drejtësisë mund të funksionojnë të pavarura nga politika, Shqipëria bëhet më e fortë. Dhe një Shqipëri më e fortë bëhet automatikisht një aleate më e besueshme e Shteteve të Bashkuara. Amerika, nga ana tjetër, duhet të jetë aleate e Shqipërisë, jo e një partie. Një marrëdhënie e shëndetshme shqiptaro-amerikane kërkon gjithashtu që SHBA-ja të mos identifikohet me asnjë forcë politike shqiptare. Amerika është aleate e Shqipërisë. Kjo do të thotë marrëdhënie me qeverinë, por edhe me opozitën, me institucionet shtetërore, por edhe me shoqërinë civile, median, universitetet dhe botën e biznesit. Nëse këto 35-vite kanë mësuar nodnjë gjë, ajo është se politika shqiptare nuk duhet ta përdorë Washingtonin si armë në konfliktet e saj të brendshme. Ambasadori amerikan nuk mund të jetë arbitri i përhershëm i mosmarrëveshjeve shqiptare. Në një demokraci të konsoliduar, problemet politike zgjidhen nga institucionet dhe nga qytetarët shqiptarë. Ideja është që aleanca me Amerikën duhet ta forcojë demokracinë shqiptare, jo ta zëvendësojë atë. Një media e lirë është pjesë e një demokracie të fortë. Kjo është një çështje që e prek edhe përvojën time të gjatë në gazetari. Një demokraci nuk mund të jetë e shëndetshme pa një media të lirë dhe profesionale. Gazetarët duhet të kenë mundësi të hetojnë dhe të kritikojnë pushtetin, pa presione politike apo ekonomike. Media nuk duhet të jetë zgjatim i qeverisë. Por as zgjatim i opozitës. Ajo duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Sepse qytetari që nuk ka informacion të lirë nuk mund të marrë vendime plotësisht të lira. Dhe kjo është një vlerë që lidh drejtpërdrejt demokracinë shqiptare me traditën demokratike amerikane. Gjithashtu, investimet amerikane kërkojnë rregulla të barabarta. Një tjetër fushë ku Shqipëria mund të bëjë shumë më tepër është ekonomia. Në deklarimet e tij para Senatit, Wendt ka vënë theks te nevoja për një klimë transparente dhe një fushë të barabartë për investitorët amerikanë. Nga pikëpamja e sigurisë ushtarake kombëtare, Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mbetet një nga shtyllat kryesore të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Por koncepti i sigurisë ka ndryshuar. Sot ai përfshin sigurinë kibernetike, energjinë, infrastrukturën strategjike, teknologjinë, luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e institucioneve demokratike. Në një rajon ku Rusia dhe Kina kërkojnë ndikim, Shqipëria ka interes të ruajë dhe të forcojë orientimin e saj euroatlantik. Në vitin 1991, kur delegacioni i parë amerikan mbërrijti në Shqipëri, vendi kishte nevojë për ndihmë në çdo fushë për të ndërtuar institucionet e demokracisë dhe të ekonomisë. Sot, Shqipëria ka 35 vjet përvojë. Ka kaluar nga izolimi total komunist në NATO. Ka ndërtuar institucione të reja. Ka bërë reforma të rëndësishme.
Por procesi i forcimit të demokracisë nuk mbaron. Përkundrazi, një demokraci e vërtetë kërkon mirëmbajtje të përditshme. Prandaj Shqipëria duhet të bëjë pjesën e saj duke forcuar drejtësinë, të luftojë korrupsionin, të mbrojë institucionet e pavarura, të respektojë opozitën, të garantojë zgjedhje të besueshme, të mbrojë median e lirë, të krijojë konkurrencë të ndershme ekonomike, të luftojë krimin e organizuar, që të vazhdojë të jetë një aleate aktive dhe e besueshme edhe brenda NATO-s. Këto nuk duhet të bëhen për t’i bërë qejfin Amerikës. Duhet të bëhen për Shqipërinë. Nga viti 1991 në vitin 2026! Kur mendoj për atë delegacion të parë amerikan që mbërrijti në Shqipëri në mars/prill 1991 dhe e krahasoj atë me ardhjen e ambasadorit Eric Wendt sot, shoh dy Shqipëri të ndryshme. Njëra sapo kishte dalë nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës, e shkatërruar në çdo kuptim e fushë veprimi. Shqipëria tjetër sot është një vend anëtar i NATO-s, pjesë e botës euroatlantike dhe me aspiratën për t’u integruar, plotësisht, në Bashkimin Evropian. Por ekziston një vijë që i lidh të dyja periudhat — e ajo vijë është besimi i shqiptarëve te Shtetet e Bashkuara dhe rëndësia që ka aleanca e Shqipërisë me Washingtonin, për të ardhmen e vendit. Prandaj ardhja e ambasadorit Wendt në Tiranë nuk duhet parë, thjesht, si një ndryshim në krye të ambasadës amerikane. Duhet parë edhe si një mundësi për të hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet amertikano-shqiptare, ashtu siç e deklaroi edhe Ambasada amerikane atje. Një kapitull ku Washingtoni vazhdon të jetë pranë Shqipërisë, por edhe një kapitull i ri në të cilin Tirana zyrtare merr më shumë përgjegjësi për forcimin e demokracisë së saj. Në vitin 1991, delegacioni i parë amerikan shkoi në Shqipëri për të hapur një derë që kishte qenë e mbyllur për më shumë se gjysmë shekulli regjim komunist — ndër më të shëmëtuarit dhe ndër më të barbarët e ish-botës komuniste. Sot, ajo derë është e hapur. Detyra e këtij brezi të shqiptarëve është që të sigurohet se ajo derë do të mbetet e hapur dhe që marrëdhënia që kaloi nga rivendosja e marrëdhënieve diplomatike me 15 mars, 1991, në një aleancë strategjike — të bëhet sot edhe më e fortë. Mbi të gjitha, kjo kërkon një Shqipëri më demokratike. Më transparente. Më të drejtë për të gjithë. Më të fortë, institucionalisht, por edhe ushtarakisht. Dhe më të besueshme si aleate që ndanë vlerat euroatlantike. Amerika ka qenë pranë shqiptarëve në momentet vendimtare të historisë së tyre moderne. Tani është radha e Shqipërisë dhe e shqiptarëve të tregojnë se Kombi shqiptar është një aleat që di ta mbrojë, ta forcojë dhe ta meritojë këtë miqësi historike me Shtetet e Bashkuara. Kjo është përgjegjësia e kapitullit të ri të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Kështu e shoh edhe unë kapitullin e ri të marrëdhënieve amerikano-shqiptare pas 35 viteve të rivendosjes së tyre, me besimin se me mbërritjen e Ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara, Eric Wendtt në Tiranë, vërtetë, “Një kapitull i ri nisi për Shqipërinë”.


