Paradoksi i “drejtësisë së re” – Drejtorët e korruptuar të Ballukut në liri, nëna me foshnjën 4-muajshe në burg
Në të njëjtën ditë kur ish-drejtues të institucioneve që administronin tendera publikë prej miliona eurosh shkojnë në SPAK, japin deklarime dhe kthehen në shtëpi, Greta Gjoci (Pepa), ish-operatore call center-i dhe nënë e një foshnjeje 4-muajshe, ndodhet në burgun e Pojskës së bashku me fëmijën.
Kjo është “reforma e re” e drejtësisë, ku prokurorët e SPAK kursejnë Gentian Gjylin, Erald Elezin dhe ne krye Belinda Balluku , që kanë vjedhur miliona euro duke i caktuar masa sigurie detyrim paraqitje, ndërkohë bëhen agresivë me qytetarët e thjeshtë, me nëna me foshnje e me gazetarë.
Kontrasti është i fortë, paradoksi akoma dhe më i madh. Nga njëra anë, ish-drejtues të institucioneve publike, të marrë të pandehur për çështje tenderash, paraqiten në SPAK dhe kthehen në shtëpi. Nga ana tjetër, Greta Gjoci (Pepa), ish-operatore call center-i dhe nënë e një foshnjeje vetëm 4-muajshe, ndodhet në burg së bashku me fëmijën.
Ish-kreu i ARRSH-së Gentian Gjyli është marrë i pandehur për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, të kryer dy herë dhe në bashkëpunim. Ai u paraqit sërish këtë të mërkurë në SPAK, por aktualisht ndaj tij është në fuqi masa “detyrim për paraqitje”, pasi GJKKO i hoqi më herët “arrestin në shtëpi”.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe ish-drejtuesi i KESH-it Erald Elezi, gjithashtu i përfshirë në hetimet për tenderë dhe aktualisht jashtë qelisë.
Por kjo e bën edhe më të dukshëm kontrastin me Greta Pepën.
Apeli i GJKKO-së la në fuqi për të dënimin me 6 vjet e 8 muaj burg për mashtrim kompjuterik dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Sipas të dhënave të publikuara nga Vox News, ajo kishte punuar si operatore call center-i, jetonte me qira dhe prej korrikut 2023 kishte qenë në arrest shtëpie.
Kurse Gjyli, Elezi dhe Balluku që notojnë në para, sot janë me masa të lehta sigurimi, falë dhe tolerancës së prokurorit të SPAK, Dritan Prençi.
Pra, kur bëhet fjalë për ish-drejtorë që hetohen për procedura tenderimi, sistemi ka gjetur hapësirën ligjore për ti mbajtur në detyrimi për paraqitje.
Por kur përballë drejtësisë është një nënë me foshnjë katërmuajshe, duket se hapësira ligjore për humanizimin e ekzekutimit të dënimit nuk ka prodhuar të njëjtin rezultat.
Kodi i Procedurës Penale parashikon se gjykata mund të shtyjë ekzekutimin e dënimit kur e dënuara ka një fëmijë nën një vjeç. Kjo nuk e shpall nënën të pafajshme dhe nuk i fal dënimin. Thjesht i jep gjykatës mundësinë të mbrojë interesin e fëmijës.
Foshnja e Greta Pepës nuk ka hapur call center, nuk ka mashtruar askënd dhe nuk është dënuar nga asnjë gjykatë.
Megjithatë sot ajo ndodhet pas portës së një burgu. Ky është paradoksi që “drejtësia e re” duhet të shpjegojë.


