Aktualitet

Ambasadori i SHBA-së zbarkon në SPAK

Eric Wendt takohet me Klodian Brahon dhe Joni Ketën e BKH-së

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka mbërritur sot në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ka zhvilluar takime me drejtuesit e institucioneve të drejtësisë së posaçme.

Gjatë vizitës, Wendt është takuar me kreun e SPAK-ut, Klodian Braho, si dhe me drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Joni Keta.

Diplomati amerikan është shoqëruar nga anëtarë të delegacionit të tij dhe senatorë amerikanë. Grupi është pritur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pamjet e mbërritjes dhe të takimit janë bërë publike nga gazetarja Klodiana Lala.

Deri në këto momente, nuk është bërë i ditur ndonjë njoftim zyrtar lidhur me çështjet e diskutuara gjatë takimit, apo nëse palët kanë trajtuar tema konkrete që lidhen me bashkëpunimin mes institucioneve shqiptare të drejtësisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Vizita e ambasadorit të ri në SPAK vjen në kuadër të kontakteve me institucionet shqiptare, por mbetet për t’u parë nëse pas takimit do të ketë një reagim zyrtar që do të sqarojë objektivat dhe temat e bisedimeve.