Opinion

Vangjush Saro: Dhuna e teorive konspirative

Ngjarjet e fundit në Shqipëri, përplasjet e përditshme të policisë së ‘rilindjes’ me protestuesit, vazhdojnë të brengosin çdokënd që mendon dhe uron mbarësi për vendin e vet. Palët japin e marrin sulme dhe mallkime, duke shënuar dëme njerëzore dhe materiale, ndërkohë që edhe demagogjia e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama nuk ndalet. Madje, po formatohen dita-ditës vetëm ndëshkime. (Ka një arsye – lexuesi i nderuar i gazetës ‘Telegraf’ e kupton – pse i shkruaj të gjitha emërtimet zyrtare me shkronjë të parë të vogël. Nuk meritojnë më shumë.)

Kjo situatë, më kujton disi një tregim të shkrimtarit të shquar A. Çehov me titullin ‘E teproi’. Një zyrtar i gubernës, po shkon me shërbim diku në një fshat. Ai udhëton me një karrocier privat. Ndërsa afrohet muzgu, zyrtari fillon e trembet se mos karrocieri e grabit. Për ta mbajtur larg tjetrin, ai fillon e tregon se ka lidhje gjithandej, ua tregon qejfin kundërshtarëve, mban përherë me vete armë, njëherë ka bërë këtë dhe njëherë tjetër atë; fantazia e tij kalon caqet… Në një moment, karrocieri, i trembur edhe ai, ngrihet dhe bërtet me të madhe: “Aman, mos më bëj gjë; na merre edhe karrocën!” Dhe ngrihet e merr të fshihet në pyll. Pas një copë here, i mbetur vetëm në mes të rrugës e në errësirë, zyrtari i shkretë i bën thirrje tjetrit të kthehet, se ai nuk e kishte me gjithë mend… etj.

Bash si ai zyrtari i gubernës, po bërtet e po çirret çdo ditë edhe zyrtari (i lartë) Rama, duke shfaqur në çdo rast frikën e tij nga këto protesta dhe duke e ‘përkthyer’ atë në kërcënim e ndëshkim. Mbase ai dhe një sërë që i vijnë nga pas – miq, oborrtarë, gazetarë, etj. – ende nuk kuptojnë; ose bëjnë sikur. E vërteta është se përtej teprimeve e dhunës, ka një pakënaqësi që vjen nga fakte kokëfortë: Shkërmoqet një e treta e Qeverisë; po ashtu institucionet. Thamë se e lamë pas SHIK-un që zhduku njerëz dhe rrahu për vdekje Edin-publicist, por na doli që SHISH bëkërkej ende punë te pista…

Ani. Duhet vërtet shumë durim për të renditur aferat e pista të qeverisë dhe institucioneve, njerëzit e shumtë që ‘paskëshin ngrënë dardha a kumbulla’ prapa kurrizit të kryeministrit. Dhe ky, asnjë fjalë për ta, gjatë gjithë kësaj kohe; vetëm mallkime dhe kërcënime ndaj protestave dhe, së fundi, oferta gati qesharake për dialog. Sigurisht, zgjidhja nuk është dhuna, as kërcënimet dhe ndëshkimet (si te ajo lista e Zapatës) por rishikimi i gjithë sistemit. PS nuk e shëron dot veten vetëm… Për më tëpër që nuk denjon të hapë sytë e të pranojë gabimet skandaloze. Njerëzit, shtypi, opozita, prej kohësh ia përplasin në fytyrë ato. (“Të gjitha të vërtetat e mëdha fillojnë si blasfemi.” Xh. B. Shou)

Ndërkaq, nuk mbarojnë as teoritë konspirative, që thjesht janë në çdo rast një diagnozë e gabuar: Autobuzë nga Greqia. ‘Elementë turbullues’ nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Irani. Rusia. PD-ja. Mbi të gjitha teoritë konspirative, ngrihet ajo më e mprehta, më e ndjeshmja për shqiptarët, BE-ja. Kryeministri është gati ta thotë edhe këtë: Rrini urtë, se nuk ka kush t’ju çojë në BE! Sloganin konspirativ e sokëllijnë edhe disa të tjerë, me gjasë analistë, por më së shumti puthadorë të kryeministrit. Edhe kjo është njëlloj dhune. Nëse jo, ç’është fundja, u kthyem te Kulti i Indvidit?

Teoritë konspirative shërbejnë si serum për sundimtarët. Ato synojnë të mbajnë larg tyre gjithë dyshimet e tjera: korrupsionin, arogancën, dhunën. Personalisht, nuk i besoj teoritë konspirative; jo për gjë, por na shkoi një jetë me armiq të jashtëm e të brendshëm dhe me liderë që gjithnjë ‘e shpëtojnë’ atdheun… Oops! Fundja, le të marrim në shqyrtim pjesërisht këtë dhunë të teorive konspirative. Pa i përjashtuar ‘duart’ e tjera, sado që jam skeptik në ato ide – fundja, shteti të lërë propagandën dhe të veprojë – unë përpiqem të lexoj realitetin dhe e shoh gjithçka si një reagim ndaj diametralitetit të kushteve të jetës, teprimit me korrupsion dhe arrogancë. Dhe këtu, sikundër jam përpjekur të shpjegoj edhe në ndonjë shënim tjetër, qëndron edhe dallimi i rëndësishëm mes zemërimit e protestave në Francë, Itali e Spanjë, nga ato në Shqipëri. Çdo interpretim ndryshe, ka për qëllim të largojë vëmendjen dhe preokupimin e shoqërisë shqiptare nga temat që dhembin aq shumë. (“Budallenjtë na marrin për budallenj.” Stendal)

Po sjell në këto radhë edhe vlerësimin tim për rolin e protagonistëve të mendimit qytetar. Këtu jemi gjithashtu në njëlloj kaosi. Njerëzit s’mund të besojnë më politikanët që e teprojnë – ja tek u kthyem prapë te termi – sikundër z. Klosi, të cilin e dëgjova diku të bërtiste: Rama do fitojë në 2027 dhe në 2029! A mund të flasë kështu një politikan i nje vendi në demokraci? E gjithë aradha e deputetëve dhe mbështetësve mjeranë të z. Rama, bëjnë zhurmuesin nëpër TV, gazeta e rrjete, duke u përpjekur të fshehin të vërtetat e hidhura, gjithnjë në panik pa le se ç’mund të ndodhë pa shefin e tyre të diskretituar.

Dhe sikur të mos mjaftonin deputetët dhe patronazhistët, edhe një pjesë e gazetarisë së angazhuar është bërë e padurueshme. Lexojmë shkrues që i bëjnë hesapet e protestuesve si ata shitësit makutë: aq dje dhe kaq sot; ja numri i përgjithshëm i studentëve, ja dhe numri i protestuesve; hë, e shikoni, shumica po rri urtë. (Përfshirë shkruesin kallp.) Kjo çështje, zotërinj, nuk është një garë numrash. Madje, është fyese ta mendosh të tillë. S’është e lehtë të dalësh në rrugë përballë asaj policie aq të egër. Ndërkaq, thelbi është tjetër: Po bien këmbanat për një qeveri dhe një kryeministër në krizë e në faj. Në faj! Nëse duhet kuptuar kështu, kemi shpresë të afrojmë zgjidhje; përndryshe, vazhdoni të mbuloni me ditirambe sunduesit.

Unë mendoj se njerëzit duhet të përpiqen të shikojnë të vërtetën: Pse mbërritëm gjer këtu? Si u krijua ky sistem vjedhesh e dhune? Kemi më shumë se tre dekada që nuk biem në qetësi. Njerëzit u kanë shkuar pas politikanëve dhe klaneve të tyre më shumë se ç’duhej. Ka ardhur koha të dëgjojnë ata që kanë më shumë përvojë nga jeta dhe që përpiqen të arsyetojnë: ekonomistët e urtë, diplomatët me figurë të pastër, shkrimtarët e paanë, kineastët që flasin rrallë, gazetarët që ndjekin faktet. Në mënyrë të veçantë do duhej vënë veshi në çfarë sugjerojnë njerëz të palidhur me partitë dhe për të cilët s’është dëgjuar asnjëlloj abuzimi. (“Një zemër guximtare dhe një gjuhë e sjellshme. Këto duhet ta udhëheqin njeriun nëpër xhunglën e jetës.” R. Kipling)