“Sofra e gurtë” rikthehet para Kryeministrisë, Rama zbulon destinacionin më të ri turistik në Tiranë
“Sofra e gurtë” është vendosur sërish këtë të shtunë përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka zgjedhur ta cilësojë atë si “destinacionin më të ri turistik” të kryeqytetit.
Mbi tryezën prej guri janë vendosur sërish letra me mbishkrimin “DIALOG”, në kuadër të ftesës së përsëritur të kreut të qeverisë për bisedime me studentët dhe protestuesit.
Rama ka publikuar në rrjetet sociale disa fotografi ku shihen qytetarë dhe kalimtarë që ndalojnë pranë sofrës për të realizuar foto. Krahas pamjeve, ai ka shoqëruar postimin me mesazhin:
“Mirëmëngjes dhe me destinacionin më të ri turistik të Tiranës, ju uroj fundjavë të buzëqeshur”.
Vendosja e “Sofrës së Dialogut” para Kryeministrisë është pjesë e një nisme të qeverisë për të ftuar studentët në një tryezë diskutimi, me qëllim dëgjimin e shqetësimeve dhe kërkesave të tyre.
Megjithatë, deri më tani, studentët nuk e kanë pranuar ftesën e kryeministrit për dialog, duke vijuar të këmbëngulin në kërkesat e tyre dhe në thirrjen për dorëheqjen e Ramës.
Ndërkohë, protesta studentore vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike. Për këtë të shtunë, 7 nëntor, është paralajmëruar edhe një protestë kombëtare, e cila pritet të nisë në orën 14:00 përpara Ministrisë së Arsimit.
Kështu, ndërsa Rama e promovon “sofrën e gurtë” si një pikë të re turistike në Tiranë, ajo mbetet njëkohësisht simboli i një ftese për dialog që deri më tani nuk ka gjetur përgjigje pozitive nga studentët protestues.


