Samiti/ Kryeministri Edi Rama takon në Dublin presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky
Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në Dublin të Irlandës.
Takimi është zhvilluar përpara nisjes së punimeve të Samitit të 9-të të Komunitetit Politik Europian (EPC), që po mbahet më sot në kryeqytetin irlandez.
Në samit marrin pjesë liderë nga dhjetëra vende europiane, ndërsa në fokus të diskutimeve janë siguria e kontinentit, bashkëpunimi politik dhe ekonomik, si dhe zhvillimet e luftës në Ukrainë.
Më herët për gazetarët atje, Rama theksoi se negociatat me Moskën nuk duhet t’u lihen vetëm amerikanëve, kinezëve apo indianëve, por duhet të jenë edhe përgjegjësi e Europës.
“Duhet të shohim atë që duhet bërë në interesin më të mirë të komunitetit europian. Unë besoj se është bërë gabim që diplomacia u është lënë në dorë të të tjerëve. Ka një përqendrim vetëm për mbështetje ushtarake për Ukrainën, që është gjëja e duhur për t’u bërë, pa mbajtur të hapur një kanal bisedimi për Rusinë.
Na pëlqen apo jo, Rusia nuk do të shkojë askund dhe do të qëndrojë aty dhe e ardhmja e kontinentit është e përbashkët, për të cilën duhet të punojmë duke shfrytëzuar të gjitha mjetet. Ndërkohë që mbështesim gjatë gjithë kohës Ukrainën, na duhet të bisedojmë”, u shpreh Rama.


