Gara për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit! 16 kandidatë në garë, sot faza e intervistimit
Procesi për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ka hyrë në fazën finale, pasi sot në orën 09:30 ka nisur intervistimi i kandidatëve në garë. Komisioni i ngritur nga Ministria e Brendshme, i përbërë nga Silva Caka, Kledia Ngjela dhe Eduart Merkaj, ka përfunduar më herët vlerësimin paraprak të dosjeve. Nga 16 aplikime fillestare, dy kandidate gra që nuk ishin pjesë e Policisë së Shtetit u skualifikuan gjatë verifikimit, duke lënë në garë gjithsej 14 kandidatë.
Në listën e plotë të kandidatëve që po intervistohen bëjnë pjesë: Afrim Tafa, Alfred Çepe, Arjanit Arapi, Ejona Gurbardhi, Elidon Çela, Gentian Berberi, Gentjan Shehaj, Idajet Faskaj, Lorenc Panganika, Neritan Nallbati, Pëllumb Seferi, Rebani Jaupi, Saimir Boshnjaku, Skënder Hita, Suela Sulkaj dhe Tonin Vocaj. Intervistimi i tyre pritet të jetë vendimtar për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Policisë së Shtetit.
Pas përfundimit të intervistave, komisioni do të ketë 48 orë kohë për të shpallur rezultatet dhe pikët për secilin kandidat. Më pas, në përputhje me procedurat ligjore, lista me 5 kandidatët më të vlerësuar i dorëzohet Ministrit të Brendshëm, i cili ia përcjell për vendimmarrje Këshillit të Ministrave. Deri në emërimin e drejtorit të ri, detyra vijon të ushtrohet nga zëvendësdrejtori Sokol Bizhga, i komanduar pas largimit të ish-drejtorit Proda.
