Intervista/ Prof. Dr. Kristaq Kume: Kryebashkiaku i komanduar (nga kryeministri) është humbja e legjitimitetit të votës së zgjedhësve
Kur e drejta për të shkarkuar një kryetar bashkie mbetet ekskluzivisht në diskrecionin politik të Kryeministrit, rrezikohet që ligji të zbatohet me dy standarde, me shpejtësi ndaj kundërshtarëve dhe me vonesë (ose fare) ndaj bashkëpunëtorëve politikë
Jakup B. GJOÇA
GAZETA TELEGRAF
Realisht, ka filluar fushata elektorale për zgjedhjet vendore të 2027-s, madje, publikisht partitë kanë zbardhur edhe emra konkretë kandidatë për kryebashkiakë. Mirëpo, për më shumë se 18 muajsh në disa bashki ka kryebashkiakë të komanduar socialistë, sepse kryebashkiaku i votuar është i paraburgosur me akuza për korrupsion. Disa kryebashkiakë janë dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata, të tjerë janë vënë nën akuzë penale nga SPAK për korrupsion, e megjithatë, çuditëisht janë ende në detyrë. Prof. Dr. Kristaq Kume, ish Kryetari I KQZ-së, në intervistën për gazetën TELEGRAF, pohon se “Kur kryebashkiaku ( apo anëtari i këshillit bashkiak) largohet për shkak të krimit, zëvendësimi me një emër të emëruar nga lart nga Këshilli Bashkiak nën presion partiak, asgjëson vullnetin e sovranit. Ndërsa, kur “Në rrafshin politik dhe moral, një akuzë për korrupsion nga një organ si SPAK, e bën të pamundur ushtrimin e detyrës së kryebashkiakut me integritet. Prof. Kume shton se “Në Shqipëri, shpesh prezumimi i pafajësisë keqpërdoret si mburojë për të mbajtur karrigen.” Prof. Kume, me përvojën e legjislacionit ligjor jep edhe rrugëzgjidhje, si “Të trajtohet edhe mundësia, nëpërmjet rregullimit të nevojshëm ligjor, për t`i dhënë të drejtën e qytetarëve për të shkarkuar një kryetar bashkie nëpërmjet zhvillimit të një referendumi lokal” sepse “Kur kjo përkohshmëri ( kryebashkiaku i komanduar) zgjatet me vite, zgjidhja e emergjencës ligjore kthehet në shmangie të vullnetit popullor”.
RRUGËZGIDHJA KUSHTETUESE: REFERENDUM LOKAL PËR VOTIMIN E KRYEBASHKIAKUT TË RI
Kryeministri, mund te shkeli edhe afatet kushtetuese për të shkarkuar kryetar bashkie, edhe pse kryetari eshte i paraburgosur për korrupsion, ose edhe i dënuar me burg me vendim të formës së prerë për korrupsion, A duhet riparë e drejta kushtetuese e Kryeministrit per shkarkimit e një kryetari bashkie per te parandaluar sjellje te tilla te tij ndaj kesaj te drejte qe i njeh kushtatuta?
Kjo pyetje prek një nga pikat më të dobëta të sistemit tone, të kontrollit dhe balancës së pushteteve. Kur e drejta për të shkarkuar një kryetar bashkie mbetet ekskluzivisht në diskrecionin politik të Kryeministrit, rrezikohet, që ligji të zbatohet me dy standarde, me shpejtësi ndaj kundërshtarëve dhe me vonesë (ose fare) ndaj bashkëpunëtorëve politikë. Neni 115 i Kushtetutës i jep Këshillit të Ministrave të drejtën të shkarkojë një kryetar bashkie për shkelje të rënda. Por, problemi qëndron te mungesa e detyrimit për të vepruar brenda një afati të prerë, kur fakti juridik (si dënimi i formës së prerë) është i qartë. Nëse Kryeministri nuk e ushtron këtë të drejtë, ai de fakto mbron një individ, që ligji e konsideron të papërshtatshëm. Duke mos vepruar, ekzekutivi mban peng një komunitet të tërë nën drejtimin e një personi të dënuar apo të një të komanduari pa afat. Për të parandaluar sjelljet të tilla arbitrare, mund të propozohen disa ndryshime thelbësore, si mund të jenë:
(i) Ligji të parashikojë, që në momentin, që një vendim gjykate i formës së prerë depozitohet, mandati i kryetarit të ndërpritet automatikisht (ipso jure), pa pasur nevojë për vullnetin apo firmën e Kryeministri;
(ii) E drejta e shkarkimit mund të kalojë si kompetencë verifikuese te Gjykata Kushtetuese, ose një organ i pavarur juridik, për të shmangur ngjyrimin politik të procesit, dhe
(iii) Të vendoset një afat i fiksuar per veprim, kapërcimi i të cilit do të përbënte shpërdorim detyre, ose shkelje kushtetuese nga Kryeministri. Rregullime ligjore të kësaj natyre janë të nevojshme për të bërë të mundur, që shkarkimi ose jo i një të zgjedhuri kryetar bashkie të mos perdoret si një instrument politik në dorë të qeverisë qendrore, autonomia vendore dhe vota e qytetarëve të mos jenë të ekspozuara ndaj pazareve apo mbrojtjeve politike, duke dëmtuar rëndë moralin e shtetit dhe besimin e publikut te Drejtësia.

– Prof. Kume, sot kemi shumë bashki, që për një ndërkohë shumë të gjatë, edhe me vite, nuk drejtohen nga kryebashkiakë të zgjedhur me votë, por kemi kryebashkiakë të komanduar. A është kushtetuese dhe morale kjo qeverisje e bashkive?
Kushtetuta e Shqipërisë dhe Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore sanksionojnë se organet e qeverisjes vendore zgjidhen me votim të drejtpërdrejtë. Ligji parashikon, për situata të caktuara, zëvendësimin e përkohshëm të një kryetari bashkie por, në të tilla raste “përkohshmëria” është fjala kyçe. Në rastin, kur kjo përkohshmëri zgjatet me vite, zgjidhja e emergjencës ligjore kthehet në shmangie të vullnetit popullor. Një kryetari të komanduar i mungon legjitimiteti, që buron nga kutia e votimit; ai i përgjigjet hierarkisë partiake apo qeverisë që e emëroi, dhe jo qytetarëve, gjë që krijon një asimetri pushteti, ku qytetarit i humbet mjeti i vetëm me të cilin ai ushtron pushtetin: VOTA. Në aspektin moral, një praktike e tillë është deformim i kontratës sociale. Një drejtues i komanduar nuk ka detyrim moral ndaj premtimeve elektorale të paraardhësit dhe bashki të tilla shpesh funksionojnë në gjendjen e mungesës së perspektivës zhvilluese, ku projektet afatgjata sakrifikohen për hir të mbijetesës administrative të momentit.
Kur kryebashkiaku ( apo anëtari i këshillit bashkiak) largohet për shkak të krimit, zëvendësimi me një emër të emëruar nga lart nga Këshilli Bashkiak nën presion partiak, asgjëson vullnetin e sovranit. Kur kjo përkohshmëri ( kryebashkiaku i komanduar) zgjatet me vite, zgjidhja e emergjencës ligjore kthehet në shmangie të vullnetit popullor
Kur paraburgoset një kryebashkiak me akuzën e korrupsionit, (pavarësisht se nuk është dënuar me burg nga gjykata), a duhet qeverisur bashkia me kryetarë të komanduar?
Çështja e qëndrimit në detyrë të një kryebashkiaku nën masën e arrestit në burg është një nga zonat më të nxehta të debatit juridik në vendin tonë, ku shpesh përplasen interpretimet strikte ligjore me frymën e Kushtetutës. Ligji nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” parashikon se mandati ndërpritet, kur kryetari dënohet me vendim gjykate të formës së prerë. Megjithatë, neni 62 specifikon se mandati përfundon para kohe edhe kur ka pamundësi objektive për të ushtruar detyrën për më shumë se 3 muaj rresht. Këtu lind ngatërresa: a konsiderohet paraburgimi pamundësi objektive? Në praktikë, jemi ndeshur me dy qasje:
(i) Qasja e Komandimit, sipas së cilës, për sa kohë nuk ka një dënim definitiv, prezumimi i pafajësisë e mbron mandatin e kryetarit. Bashkia drejtohet nga një zëvendëskryetar, që komandohet, për të ruajtur vazhdimësinë;
(ii) Qasja e Shkarkimit, sipas së cilës një kryetar bashkie, që nuk mund të hyjë në zyrë për shkak të hekurave të burgut, është në pamundësi absolute për të ushtruar funksionet. Pas 90 ditëve (3 muaj), Keshilli bashkiak duhet të propozojë ndërprejen e mandadti të tij dhe qeveria duhet të konstatojë dhe duhet të marr vendimin për vakancën e krijuar dhe t’i propozojë Presidentit shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në bashkinë përkatëse. Në aspektin institucional, qeverisja e një bashkie me kryetar të komanduar përtej afateve emergjente është një bypass i rrezikshëm. Ajo krijon një institucion hybrid, që nuk është as i zgjedhur, por as plotësisht I përkohshëm. Nëse një kryebashkiak nuk mund të ushtrojë detyrën për shkak të forcës madhore ligjore (paraburgimi), ndërprerja e mandatit dhe kthimi te sovrani (votuesi) mbetet rruga më e pastër për të garantuar legjitimitetin dhe moralin e qeverisjes lokale.
Në rrafshin politik dhe moral, një akuzë për korrupsion nga një organ si SPAK, e bën të pamundur ushtrimin e detyrës së kryebashkiakut me integritet. Në Shqipëri, shpesh prezumimi i pafajësisë keqpërdoret si mburojë për të mbajtur karrigen

Sa kohë mundet kryetari i komanduar të qeverisë bashkinë?
Sipas legjislacionit shqiptar dhe praktikave të pushtetit vendor, pozicioni i kryetarit të komanduar është konceptuar si një zgjidhje emergjente dhe e përkohshme, por afatet kohore ndryshojnë në varësi të shkakut, që ka krijuar vakancën. Në parim, neni 61 i Ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, parashikon, që në rastet, kur mandati i kryetarit ndërpritet, (për shkak të dorëheqjes, shkarkimit, dënimit të formës së prerë ose vdekjes), Këshilli Bashkiak zgjedh një nga zëvendëskryetarët për të drejtuar bashkinë, deri në zgjedhjet e reja. Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcaktojnë, që zgjedhjet për vakancën duhet të shpallen nga Presidenti jo më vonë se 45 ditë nga konstatimi i ndërprerjes së mandatit. Në këtë skenar, komandimi duhet të zgjasë vetëm disa muaj (deri në certifikimin e fituesit të ri). Nëse vakanca krijohet gjatë 6 muajve të fundit të mandatit katërvjeçar, nuk organizohen zgjedhje të parakohshme dhe i komanduari qëndron në detyrë deri në zgjedhjet e rregullta periodike. Situata të kësaj natyre ndeshen me problemin e madh, që mund të krijohet prej vakumit pa afat, që mund të krijohet nga zvarritja e proceseve gjyqësore, apo vonesa në dekretimin e datës së zgjedhjeve nga institucionet qendrore. Kjo ka bërë që të ndeshemi me raste, kur bashkia është drejtuar nga persona të komanduar për periudha edhe më të gjata se një vit. Pasojat direkte të kësaj situate janë:
(i) Cenimi i parimin të subsidiaritetit, vendimet merren nga një person, që nuk ka marrë autorizim nga komuniteti;
(ii) Mungesa e efektivitetit në administrimin e njësisë vendore, i komanduar shpesh heziton të ndërmarrë reforma të mëdha apo investime afatgjata, por mjaftohet vetëm me mirëmbajtjen rutinë të qytetit.
Të trajtohet edhe mundësia, nëpërmjet rregullimit të nevojshëm ligjor, për t`i dhënë të drejtën e qytetarëve për të shkarkuar një kryetar bashkie nëpërmjet zhvillimit të një referendumi local. Një kryetari të komanduar i mungon legjitimiteti, që buron nga kutia e votimit; ai i përgjigjet hierarkisë partiake apo qeverisë që e emëroi, dhe jo qytetarëve
Disa kryebashkiakë sot janë dënuar me burg me vendime të formës së prerë nga gjykata dhe bashkitë përkatëse qeverisen nga kryetarë të komanduar. A është ligjore kjo dhe a është kjo humbje e legjitimitetit të votës së zgjedhësve? Po kështu ka kryebashkiakë, që ndonëse ndaj tyre SPAK ka publikuar akuzë penale për korrupsion, ata vazhdojnë të qeverisin bashkinë. A nuk përbën ky fakt një humbje të votëbesimit të votuesve për zgjedhësin e tyre?
Kjo situatë nxjerr në pah një paradoks të rrezikshëm, ku procedura ligjore po përdoret për të anashkaluar thelbin e demokracisë: legjitimitetin përmes votës. Kur një kryebashkiak dënohet me vendim të formës së prerë, mandati i tij përfundon ligjërisht në çast. Mbajtja e bashkisë me të komanduar për një kohë të gjatë, në këtë rast nuk është thjesht çështje menaxhimi, por një shkelje e hapur e frymës kushtetuese. Komandimi është ligjor dhe i justifikuar vetëm si urë kaluese drejt zgjedhjeve të reja. Nëse zgjedhjet nuk shpallen menjëherë, kjo kthehet në një qeverisje arbitrare. Komandimi është i barazvlefshëm me humbjen e legjitimitetit. Zgjedhësi ka votuar për një individ dhe një program të caktuar. Kur kryebashkiaku ( apo anëtari i këshillit bashkiak) largohet për shkak të krimit, zëvendësimi me një emër të emëruar nga lart nga Këshilli Bashkiak nën presion partiak, asgjëson vullnetin e sovranit. Në rastet, kur ka një akuzë zyrtare për një të zgjedhur, por jo ende dënim, situata bëhet etike dhe politike. Edhe pse prezumimi i pafajësisë është parim juridik, në rrafshin politik dhe moral, një akuzë për korrupsion nga një organ si SPAK, e bën të pamundur ushtrimin e detyrës së kryebashkiakut me integritet. Kryebashkiaku në këtë gjendje nuk qeveris më për qytetarët, por e përdor zyrën si mburojë apo mjet negocimi për betejën e tij ligjore. Kur një zyrtar i akuzuar vazhdon detyrën, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, krijohet mesazhi i rrezikshëm i pandëshkueshmërisë. Zgjedhësi ndihet i tradhtuar, pasi vota e tij, e dhënë për shërbim publik, po përdoret për të legjitimuar dike, që akuzohet se ka abuzuar pikërisht me ato fonde apo pushtet. Demokracia lokale lëngon. Zgjidhja e vetme morale dhe demokratike mbetet kthimi te kutia e votimit sa here që integriteti i fituesit të garës bie, për t’i dhënë mundësi komunitetit të ripërcaktojë fatin e vet.
Neni 62 specifikon se mandati përfundon para kohe edhe kur ka pamundësi objektive për të ushtruar detyrën për më shumë se 3 muaj rresht. Këtu lind ngatërresa: a konsiderohet paraburgimi pamundësi objektive? Në aspektin institucional, qeverisja e një bashkie me kryetar të komanduar përtej afateve emergjente është një bypass i rrezikshëm. Ajo krijon një institucion hybrid
Pavarësisht artificeve, boshllëqeve të ligjeve në Kushtetutë apo në Kodin Zgjedhor, a nuk do të ishte normale, që edhe për moral shoqëror dhe politik, në rast se prokuroria gjatë hetimeve, shpall publikisht akuzë penale për “korrupsion” dhe “shpërdorim detyre”, pavaresisht parimit te prezumimit te pafaqesise çdo i zgjedhur me votë (kryetar bashkie ne rastin konkret) të japë dorëheqjen dhe nëse jo, ta detyrojë ligji për ta dhënë këtë dorëheqje?
Kjo pyetje prek thelbin e asaj që quhet demokraci llogaridhënëse. Në shumë vende me traditë të konsoliduar demokratike, standardi i dorëheqjes nuk pret vendimin e gjykatës; ai aktivizohet sapo integriteti i figurës publike vihet në dyshim serioz, për të ruajtur besueshmërinë e institucionit. Në Shqipëri, shpesh prezumimi i pafajësisë keqpërdoret si mburojë për të mbajtur karrigen. Megjithatë, ka një dallim të madh mes pafajësisë juridike (të mos shkosh në burg) dhe përgjegjësisë politike (ta meritosh për të drejtuar). Kur një kryebashkiak akuzohet zyrtarisht për korrupsion, ai humbet autoritetin moral. Dorëheqja në këtë rast nuk është pranim faji, por akt respekti ndaj institucionit. Në një rast të tillë mund të trajtohet edhe mundësia, nëpërmjet rregullimit të nevojshëm ligjor, për t`i dhënë të drejtën e qytetarëve për të shkarkuar një kryetar bashkie nëpërmjet zhvillimit të një referendumi lokal. Ky mekanizëm, është i njohur dhe përdoret edhe në SHBA, Zvicër apo Rumani si Recall Election. Ai shërben si një frenë emergjence në duart e popullit. Mundësia për të thirrur një referendum lokal bën, që qytetarët të mos presin 4 vite për të larguar një zyrtar të korruptuar, llogaridhënia rritet menjëherë. Një referendum i tillë do të shmangte nevojën për komandime të gjata dhe do ta detyronte politikën të propozonte kandidatë me integritet të lartë, nga frika e një shkarkimi të parakohshëm. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe ligjet pasuese kanë krijuar një system, ku pushteti është i përqëndruar te kryetarët e partive dhe pak te votuesi. Futja e mekanizmave referendarë për heqjen e mandatit do të ishte ilaçi i duhur kundër arrogancës së pushtetit.
Mbajtja e bashkisë me të komanduar për një kohë të gjatë, kur gjykata jep vendimin e formës të prerë, për burgim të kryebashkiakut, nuk është thjesht çështje menaxhimi, por një shkelje e hapur e frymës kushtetuese
Prof. Kume, gjatë periudhes 2023 – 2027 është formësuar një praktikë: Kryeministri mbledh bashkinë e Tiranës dhe këshilltarët e zgjedhur nga elektorati i partisë së tij dhe u jep orientime, urdhëra, etj? Kjo praktikë a nuk është uzurpim i kompetencave të pushtetit vendor nga pushteti ekzekutiv? A ka ligjshmëri kushtetuese kryeministri të mbledhë bashkinë dhe kështilltarët bashkiakë dhe t’u jap urdhëra?
Kjo praktikë prek një nga parimet e shtetit demokratik: Autonominë Vendore dhe shkel Parimin e Subsidiaritetit. Kushtetuta jonë dhe Karta Evropiane e Vetëqeverisjes Vendore sanksionojnë se njësitë e qeverisjes vendore janë autonome dhe ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë të pavarur nga pushteti qendror. Kur Kryeministri mbledh këshilltarët dhe administratën e një bashkie për t’u dhënë orientime, apo urdhra, në fakt vepron në kundërshtim me këto parime. Kryetari i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak nuk janë departamente të qeverisë. Ata kanë legjitimitet, që buron nga zgjedhja e drejtpërdrejtë e tyre nga populli. Kryeministri nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të urdhëruar se si do të menaxhohet një projekt local, apo si do të votojë një këshilltar. Ndryshe, Bashki,a nga një institucion kushtetues, fillon dhe merr tiparet e një seksioni partie, ku urdhrat politike zëvendësojnë vendimet e Këshillit Bashkiak. Në legjislacionin tonë nuk ka asnjë parashikim ligjor, që i jep të drejtën Kryeministrit të thërrasë në mbledhje pune organet e zgjedhura vendore. Në situate të tilla zgjedhjet vendore fillojnë të humbasin kuptimin e tyre.
-Ju falenderojmë!

