Shkon në 64 numri që u helmuan nga ushqimi në Akademinë e Sigurisë! Hetime edhe për AKU, do verifikohet nëse kreu kontrolle te Sori-Al
Numri i studentëve që dyshohet se janë
helmuar nga ushqimi i konsumuar në Akademinë e Sigurisë, i cili merrej me katering nga kompania SORI-AL, ka shkuar në 64.
Numri i studentëve që dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në Akademinë e Sigurisë, i cili merrej me katering nga kompania SORI-AL, ka shkuar në 64. Përpos 60 kursantëve të parë, 4 të tjerë janë paraqitur në urgjencë me po të njëjtat simptoma pasditen e djeshme.
Policia dhe Prokuroria e Tiranës vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e plota të kësaj ngjarjeje. Dosja e helmimit të dytë pritet të bashkohet në një të vetëm me helmimin e rastit të parë, ngjarje e ndodhur në fillim të muajit maj të këtij viti.
Përveç kompanisë SORI-AL, që çon ushqimin me katering në Akademi, burimet për Report Tv bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë edhe për institucionin e AKU-së. Sipas burimeve ky institucion po hetohet për të verifikuar nëse pas rikthimit të aktivitetit të SORI-AL në Akademi, ka kryer ose jo kontrolle të tjera në ambientet e saj gjatë 2 muajve të fundit.
Po ashtu mësohet se sot pritet të merret në pyetje administratorja e kompanisë, Alma Tafani, e cila që pas helmimit të parë të studentëve është duke u hetuar penalisht në gjendje të lirë.
Nga ana tjetër, grupi hetimor është në pritje të përgjigjes së analizave të mostrave të marra të ushqimit nga AKU, për të përcaktuar shkaqet që çuan në helmimin e 64 studentëve.

