Abuzimi me plehrat kimikë/ Blihen lirë nga kompanitë, fermerët ankohen: Janë më shtrenjtë se viti i kaluar
Çmimet e plehrave kimike po godasin fermerët.
“Na janë rritur plehrat kimike 30% më tepër”, u shpreh fermeri.
Ky alarm i ngritur nga prodhuesit shqiptar nuk po shqetëson aspak Ministrinë e Bujqësisë, e cila deri më tani nuk ka sjellë asnjë reagim.
Shtrenjtimi i plehrave kimike sipas tregtarëve ka ardhur si pasojë e luftës që po zhvillohet në Lindjen e Mesme, dhe rritja e çmimit të naftës, në Shqipëri solli ushqyes kimikë më të kushtueshëm për bujqësinë.
Një vit më parë fermerët 1 kuintal ure e blinin në farmaci bujqësore 4900 lekë, ndërsa sot ky produkt kushton 6000 lekë. I njëjti realitet është edhe për dapin ku nga 7000 lekë, vlera e tij ka shkuar në 9800. Kurse nitrati nga 4700 kuintali, kap shifrat e 6000 lekë. Rritjes së çmimit nuk i ka shpëtuar as kategoria e superfosfateve ku nga 2400 lekë, sot fermerët e blejnë me 3500 lekë.
Por shifrat e doganave që ka siguruar Top Channel tregojnë një tjetër realitet. Rritja e çmimit të plehrave kimike nuk ka ardhur si pasojë e bombardimeve në Iran, por si shkak i abuzimit të kompanive që importojnë këto produkte në vendin tonë.
Nëse i referohemi të dhënave të doganës, bizneset që merren me tregtinë e plehrave, përgjatë 2026, të njëjtat produkte i kanë blerë më lirë se vitin e shkuar.
Saktësisht në vitin 2025 plehruesit mineral, kimikë dhe azotikë nga këta tregtarë është blerë 35 lekë/kg, ndërsa në 2026 i njëjti produkti ka kushtuar 2 lekë më pak.
Më lirë këtë vit nga këta tregtarë gjithashtu janë blerë dhe plehrat minerale dhe kimikë që përmbajnë dy elemente. Vitin e kaluar ky produkt ka kushtuar 62 lekë, ndërsa kësaj herë është 61 lekë.
Kurse plehrat fosfatike janë marrë më të njëjtin çmim. I vetmi produkt që u ka kushtuar më shtrenjtë këtyre biznese janë plehra potasike të cilat gjatë 2026 janë blerë 11 lekë më tepër.
Lufta ka qenë një argument i mirë që tregtarët e plehruesve bujqësor të rrisin fitimin e tyre, dhe të shtojnë kostot e prodhimit për bujqit. Ky abuzim më pas do të reflektohet tek shtrenjtimi i prodhimeve bujqësore për konsumatorët.
