Aksident fatal në Fiershegan të Lushnjës, humb jetën 35-vjeçari me motor
Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në Fiershegan të Lushnjës, ku ka humbur jetën 35-vjeçari Klevis Gjoni.
Sipas të dhënave paraprake, i riu po drejtonte një motoçikletë kur u përplas me një mjet tip “Caddy”.
Nga informacionet në vendngjarje, mësohet se automjeti po kryente një manovër për t’u kthyer në anën tjetër të rrugës, me qëllim hyrjen në një banesë. Në të njëjtën kohë, motoçikleta ka tentuar parakalimin në të njëjtën korsi, duke çuar në përplasjen fatale.
Si pasojë e plagëve të marra, 35-vjeçari është transportuar në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë rrugore, të cilat po punojnë për dokumentimin e plotë të aksidentit.
Sipas burimeve policore, shkak paraprak i ngjarjes dyshohet të jetë manovra e parakalimit nga ana e drejtuesit të motoçikletës, ndërsa mjeti tjetër ishte duke u kthyer në krahun tjetër të rrugës.
