“Akuzohesh për vrasje, shpifje, po turpërohesh, i dëshpëruar” – Agravohet komunikimi në distancë mes Salianjit dhe Berishës
Përplasja mes kryedemokratit Sali Berisha dhe ish-deputetit Ervin Salianji tashmë kthyer në frontale, ku të dy protagonistët nuk i kanë kursyer akuzat ndaj njëri-tjetrit.
Ishte fillimisht kreu i PD-së, Sali Berisha, që gjatë konferencës së sotme me gazetarët sulmoi Ervin Salianjin.
I pyetur nga gazetarët, nëse do të lejohet Salianji të kandidojë në zgjedhjet për kreun e partisë, Berisha tha se ai është i vetëpërjashtuar dhe se është birësuar politikisht nga PS.
“I vetëpërjashtuari është i vetëpërjashtuar, nuk ndryshon asgjë. Tani, pse e birëson ky apo ai politikisht këtë apo atë, kjo nuk është puna ime. Birësimet kanë ndodhur dhe ndodhin në të gjitha kohërat. I gëzofshin ata që i birësojnë. Kaq është puna. E birësuan. Iku, mori fund. E birësuan, po të mos birësohej, do ishte ai. Ai zgjodhi vetë birësimin, iku, mori fund”, tha Berisha.
Ai tregoi edhe një bisedë me Salianjin para se të lirohej nga burgu.
“Një ditë më vjen nga burgu në zyrë, se mirë është meqenëse e hapëm bisedën, dhe më thotë, erdha të të marr një mendim. Çfarë mendimi, i them unë. Urdhëro, e prita mirë. Sigurisht, kemi bërë gjithçka për ta cilësuar të burgosur politik dhe e ka merituar plotësisht. Çfarë mendimi? Tani, thotë, më kanë ngelur tre muaj burg. Për të dalë më takon të dal sipas ligjit, por kërkojnë një deklaratë në të cilën duhet të garantoj se nuk do vras Fatmir Xhafën. Kush ta kërkon këtë? Ma kërkon gjykata dhe drejtoria e burgut. I them unë, po ti je i burgosur politik. Nuk ke punë me Fatmir Xhafën, nuk je zënë, nuk je sharë, nuk je rrahur me Fatmir Xhafën. Meqë më pyet mua, unë të këshilloj që një deklaratë të tillë të mos e bësh se ti merr fajësinë në këtë mes. Të thuash që unë nuk kam ndërmend të vras Fatmir Xhafën, do të thotë se Fatmir Xhafa të burgosi ty se e ke kërcënuar.
Kjo është e vërteta. Natyrisht, ai ishte në burg dhe unë nuk mund të merrja përsipër më shumë se kaq. Këshilla ime është që ju të mos e firmosni se kjo të fajëson dhe ti je i ri në karrierë dhe ke karrierë përpara. Mirë, tha. Iku. Doli, erdhi. Çfarë bëre me atë? Jo, tha, nuk ma kërkuan më. Tani, të tjerat lexojini vetë. Kështu që, nuk është përgjegjësia ime për atë që birësohet politikisht këtu apo aty, apo këndej dhe andej. Ka bërë zgjedhjen e tij”, tha Berisha.
Akuzave të Berishës iu është përgjigjur flakë për flakë Ervin Salianji.
“Në mungesë të votës, shpik etiketa. Në mungesë të garës, shpall “të vetëpërjashtuar”. Sa më shumë flet për përjashtime, aq më e qartë bëhet frika nga gara”, shkruan Salianji në një postim në Facebook, që thekson se Berisha flet për demokraci, por është i parë që i trembet asaj.
“Partia Demokratike nuk është klub privat ku hyrjet dhe daljet vendosen me humorin e një njeriu, por një forcë politike që duhet të funksionojë me rregulla dhe me votën e anëtarëve të saj. Ironike që ky që flet për demokraci, është i pari që i trembet asaj. Unë nuk kam nevojë për bekime, as për leje. Kam vetëm një kërkesë: garë të hapur dhe votë të lirë. Pjesa tjetër është zhurmë për të mbuluar frikën. E frikë bën mirë që ka se e ka keqpërdorur funksionin për interesa personale dhe biznesi! Demokratët duan një Parti Demokratike fituese!”.
Salianji komentoi edhe deklaratën e Berishës për një bisedë mes të dyve para se ai të dilte nga burgu, duke theksuar se kryedemokrati po turpërohet dhe se nuk e imagjinonte të binte në këtë nivel, ndërsa ka pasur edhe një ftesë edhe për SPAK-un.
“Sa për hallin që ka se mos “vras” Xhafën, i flet subkoshienca se ka merak se mos “vrasim’ Ramën me votë. Burri ka kohë te turpërohet gjithë jetën e vet, por të bjerë në këtë nivel është e paimagjinueshme dhe fiks siç nuk e urojnë as kundërshtarët më të ashpër! Shpifje si kjo tregojnë sa të madhe e ka frikën dhe dëshpërimin, akuzat për vrasje dihet kush i ka mbi shpinë, siç dhe tregon mendësinë vrasëse sepse dikush që dëgjon këto biseda dhe nuk i denoncon tregon për veten! Meqë ky po e mbështet SPAK këtë periudhë, unë jam i gatshëm dhe i bëj thirrje SPAK të nisë hetimin për tentativë vrasje ose moskallëzim krimi”, shtoi ai.
