Sociale

Alarmi i KLSH: 7 laboratorët e AKU nuk janë të akredituar, analizat ushqimore të pabesueshme

Auditimi thekson se asnjë nga shtatë laboratorët e AKU nuk është i akredituar sipas standardeve të kërkuara për organet që kryejnë analiza laboratorike në kuadër të kontrollit zyrtar. Laboratorët janë vetëm të autorizuar nga ministri përgjegjës për kontrollin ushqimor, por mungesa e akreditimit krijon një risk të lartë për besueshmërinë dhe vlefshmërinë e rezultateve të analizave të kryera.

KLSH ngre alarmin se kryerja e analizave në laboratorë të paakredituar nga ana e AKU ngre një pikëpyetje shumë të madhe mbi besueshmërinë e tyre. Për më tepër këto analiza përdoren për kontrollin zyrtar të sigurisë ushqimore në vend.

Sipas raportit të auditimit, gjatë periudhës së verifikuar nga laboratorët e AKU janë pranuar gjithsej 43,916 mostra ushqimore dhe janë analizuar 89,370 tregues analitikë. Megjithatë, auditimi thekson se në këto të dhëna nuk përfshihet monitorimi i kritereve mikrobiologjike të qumështit të papërpunuar, një proces që duhet të kryhet në zbatim të disa akteve rregullatore të Ministrisë së Bujqësisë.

Auditimi thekson se asnjë nga shtatë laboratorët e AKU nuk është i akredituar sipas standardeve të kërkuara për organet që kryejnë analiza laboratorike në kuadër të kontrollit zyrtar. Laboratorët janë vetëm të autorizuar nga ministri përgjegjës për kontrollin ushqimor, por mungesa e akreditimit krijon një risk të lartë për besueshmërinë dhe vlefshmërinë e rezultateve të analizave të kryera. Kjo do të thotë se rezultatet laboratorike mbi të cilat bazohen kontrollet e sigurisë ushqimore mund të mos kenë garanci të plotë për standardet ndërkombëtare të cilësisë.

Auditimi thekson se situata krijon një mospërputhje edhe në kuadrin ligjor që rregullon kontrollin ushqimor dhe inspektimet në vend. Nga njëra anë, ligji për ushqimin parashikon që kontrolli zyrtar të kryhet sipas rregullave të ligjit për inspektimin në Republikën e Shqipërisë, ndërsa nga ana tjetër legjislacioni për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit dhe rregullorja e Bashkimit Evropian nr. 2017/625 kërkojnë që analizat laboratorike të kryhen nga laboratorë të akredituar.

Sipas raportit, kjo situatë krijon paqartësi dhe risk për mënyrën se si realizohen analizat laboratorike që përdoren për kontrollin e produkteve ushqimore në treg. Në praktikë, mijëra mostra ushqimore analizohen çdo vit nga laboratorë që nuk kanë kaluar procesin e akreditimit, çka mund të ndikojë në besueshmërinë e rezultateve dhe në efektivitetin e kontrollit zyrtar të sigurisë ushqimore.

Gjetjet e auditimit ngrenë gjithashtu shqetësime për funksionimin e sistemit të kontrollit ushqimor në vend, pasi analizat laboratorike janë një nga elementët kyç për verifikimin e cilësisë dhe sigurisë së produkteve që qarkullojnë në treg. Në këtë kontekst, mungesa e akreditimit të laboratorëve konsiderohet një rrezik potencial për integritetin e sistemit të kontrollit dhe për besimin në rezultatet e analizave që përdoren nga autoritetet publike./ekofin.al