Betohet Skënder Hita: Luftë pa kompromis kundër krimit dhe korrupsionit!
“Betohem për të mbajtur me nder flamurin e Policisë së Shtetit!”, me këtë deklaratë solemne nisi fjalën e tij drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, gjatë ceremonisë së betimit të zhvilluar ditën e sotme.
Në një ceremoni zyrtare dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, përfshirë ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin dhe zv.kryeministren Albana Koçiu, Hita mori detyrën duke theksuar përgjegjësinë e madhe që mbart ky post.
Në fjalën e tij, ai e cilësoi këtë moment si një pikë kulmore të karrierës së tij 25-vjeçare në radhët e Policisë së Shtetit, duke nënvizuar se ky emërim nuk është një arritje personale, por një detyrim ndaj qytetarëve.
“Sot është një ditë e rëndësishme e karrierës time. Pas një rrugëtimi 25-vjeçar me dëshirën për t’iu shërbyer pa kompromis qytetarëve, kam nderin të marr këtë detyrë. Këtë kurorëzim nuk e shoh si një arritje personale, por si një përgjegjësi për qytetarët,” u shpreh ai.
Hita falënderoi për besimin e dhënë, si dhe kolegët me të cilët ka ndarë vite pune, duke shprehur mirënjohje të veçantë për efektivët e Policisë dhe familjet e tyre.
Në vijim të fjalës, ai ndaloi edhe te sfidat me të cilat përballet institucioni, duke theksuar se, pavarësisht arritjeve, mbetet ende punë për t’u bërë në drejtim të rritjes së efikasitetit dhe besimit publik.
Pjesë nga fjala e Hitës:
Sot, është një ditë e rëndësishme e karrierës time në Policinë e Shtetit. Pas një rrugëtimi 25-vjeçar me dëshirën për t’iu shërbyer pa kompromis qytetarëve, kam nderin për të marrë këtë detyrë. Këtë kurorëzim nuk e shoh si një arritje personale, por një përgjegjësi për qytetarët. Gjej rastin të falënderoj kryeministrin për besimin e dhënë dhe çdo koleg me të cilin kemi ndarë këtë rrugëtim. Jam mirënjohës çdo efektivi të Policisë dhe familjarëve të tyre që mbajnë peshën e punës së tyre. Nderim për dëshmorët e Policisë.
Është punuar dhe sakrifikuar, por deri më sot mbetet sfidë thellimi i rezultateve dhe përmirësimi i Policisë së Shtetit. Policia nuk është thjesht një institucion që ofron shërbim, por vendi ku qytetari gjen mbështetje. Prioritetet tona janë të qarta: lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar, duke filluar edhe nga radhët tona, rritja e parametrave të sigurisë në shkolla, forcimi i rendit në të gjithë territorin, modernizimi i Policisë.
