Bota

Bie avioni ushtarak në Kolumbi, 66 viktima, 4 të zhdukur

Një avion ushtarak u rrëzua dje gjatë ngritjes në Kolumbi, duke shkaktuar vdekjen e 66 personave, ndërsa katër të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur, njoftuan autoritetet.

Bëhet fjalë për një avion transportues të tipit Lockheed Martin C-130 Hercules, me 128 persona në bord: 11 anëtarë të forcave ajrore, 115 ushtarakë dhe dy efektivë të policisë kombëtare. Aksidenti ndodhi gjatë ngritjes nga Puerto Leguizamo, pranë kufirit me Perunë. Sipas hetimeve paraprake, avioni dyshohet të ketë përplasur krahun pranë fundit të pistës dhe një nga krahët goditi një pemë gjatë rënies.

Përplasja shkaktoi një shpërthim dhe zjarr të fuqishëm, ndërsa në bord dyshohet të kenë pasur materiale të ndjeshme ndaj shpërthimit. Banorët e zonës së largët ishin të parët që ndërhynë për të ndihmuar të mbijetuarit, duke i transportuar drejt spitaleve me mjete të improvizuara. Më pas, në vendngjarje mbërritën forcat ushtarake, megjithatë terreni i vështirë ka vështirësuar operacionet e shpëtimit.
Sipas autoriteteve, 57 të mbijetuar janë shtruar në spital, ndërsa rreth 30 prej tyre janë jashtë rrezikut për jetën. Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë për të gjetur personat e zhdukur.