Braçe: Unë nuk do bëhem kryetar bashkie që të rri si kukull, por dua standarde! Ndërtuesit nuk e vrasin mendjen për Tiranën
Deputeti socialist Erion Braçe u shpreh në “Top Story” se i intereson beteja politike me përmbajtje, teksa theksoi se nuk qëndron kot në politikë.
Duke iu drejtuar panelit në program, ai u shpreh se “e nënvlerësoni shumë PS-në”.
“Ajo që mua më intereson është beteja politike me përmbajtje. Si kukull apo si qokë karriere unë nuk rri. Tirana ka një problem shumë të madh nuk vetëqeveriset dhe as nuk qeveriset.
Nuk me intereson ndarja territoriale, nuk më intereson pushteti real i vendoreve. Sot që flasim nuk është kjo.
Ka gjëra që janë bërë mirë në këtë qytet, në kohë të ndryshme. Industria e ndërtimit në qytet nuk ka standard qytetar. Nuk ka standard qytetar, nuk ka etikë, më vjen mua në penxhere ajo karabinaja që ndërtohet atje.
Unë mendoj që është çështje standardesh. Kërkoj standard të ri në këtë qytet, kur më erdhi tjetri e më zuri dritën. E nënvlerësoni shumë PS-në, realisht po jua them”, tha Braçe.
I pyetur për situatën në Tiranë, deputeti socialist që ka shprehur hapur ambicien për të garuar për drejtimin e kryeqytetit në një kohë që Edi Rama mbështet Ogerta Manastirliun, theksoi se nuk do të jetë kukull apo qoka e radhës.
“Unë kryetar bashkie që të rrijë atje si kukull apo si qokë karriere, apo hajt ta mbylli ky tani atje dhe shikojmë se çfarë do bëhet pas 4 vitesh, unë nuk rri. Mua nuk më intereson ndarja e re territoriale, se ku do jetë kufiri, por më intereson pushteti real i vendorëve.
Sot, një bashki nuk administron arsimin, shëndetësinë… Janë probleme që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të njerëzve.
Në këtë qytet ka gjëra që janë bërë shumë mirë, por ka dhe gjëra që nuk janë bërë. Është ndërtimi, nuk ka standard qytetar, nuk ka moral qytetar, ai ndërton dhe nuk e vret mendjen fare. Unë mendoj se kjo është kundër standardit. Jo. Unë nuk jam kundër, por kërkoj standard ndërtimi në kryeqytet”, vijoi Erion Braçe.
