Burg deri në 10 vite për dhunën ndaj kafshëve: Greqia miraton ligjin “drastik”
Greqia ka ndërmarrë një hap historik dhe mjaft të ashpër sa i përket mbrojtjes së gjallesave, duke ndryshuar rrënjësisht qasjen ligjore ndaj abuzuesve të kafshëve. Parlamenti grek ka votuar në mënyrë unanime një paketë të re ligjore, e cila e zhvendos dhunën ndaj kafshëve nga kategoria e shkeljeve të lehta administrative direkt në kategorinë e krimeve të rënda penale.
Ky ndryshim do të thotë se çdo person që guxon të ushtrojë dhunë, torturë apo të vrasë një kafshë, nuk do të përballet më thjesht me një gjobë simbolike, por me ndëshkime që mund t’i kushtojnë lirinë për një kohë të gjatë.
Sipas rregullave të reja që sapo kanë hyrë në fuqi, dënimet për dhunuesit janë ashpërsuar në nivele ekstreme, ku parashikohet deri në 10 vite burgim për rastet më të rënda. Përveç heqjes së lirisë, ligji parashikon edhe goditje të forta financiare, me gjoba që mund të arrijnë deri në 50 mijë euro për çdo kafshë të dëmtuar.
Kjo masë synon të shërbejë si një paralajmërim i qartë për të gjithë ata që deri më sot kanë përfituar nga mungesa e ligjeve strikte për të keqtrajtuar qenjtë, macet apo kafshët e tjera që ndajnë mjedisin me ne.
Vëmendja kryesore e këtij ligji të ri është përqendruar te kafshët endacake, të cilat historikisht kanë qenë shënjestra më e lehtë e abuzimeve makabre si helmimet masive apo vrasjet e qëllimshme. Mbrojtësit e të drejtave të kafshëve në shtetin fqinj e kanë përshëndetur këtë vendim si një triumf të qytetërimit, duke theksuar se trajtimi i këtyre akteve si krime serioze do të rrisë ndjeshëm ndërgjegjësimin publik.
Sipas tyre, një shoqëri që mbron krijesat më të pambrojtura është një shoqëri më e sigurt për të gjithë, pasi zbatimi i rreptë i këtyre masave do të minimizojë fenomenet e dhunës në rrugët e qyteteve greke.
