Aktualitet

Çmimet e karburanteve ‘fluturojnë’, Bordi i Transparencës s’merr asnjë masë

Kush priste që qeveria të ndërhynte realisht për të ulur çmimin e naftës, në një moment kur tregjet ndërkombëtare po lëkunden nga tensionet në Lindjen e Mesme, ka gabuar në leximin e situatës. Realiteti është më i thjeshtë se kaq: çmimi nuk pritet të bjerë nën 218 lekë për litër, ndërsa shqiptarët, me pagat më të ulëta në Europë, do të vijojnë të paguajnë karburantin me tarifa që nuk dallojnë nga ato të vendeve më të pasura si Zvicra, Austria apo Norvegjia.

Në kushte si këto, Bordi i Transparencës që do të na mbronte nga abuzimet duket si një mekanizëm pa vlerë, një institucion dordolec që nuk tremb më askënd dhe që shërben vetëm për t’u përtypur në daljet publike të ministrave.

Kështu bëri sot ministri i ri i Energjisë, Enea Karakaçi, që ricikloi të njëjtin argument që Edi Rama e ka përdorur prej kohësh, se taksa e qarkullimit është përfshirë në çmimin e çdo litri karburant, në mënyrë që ‘kush konsumon më shumë, të paguajë më shumë’.

Por në përpjekje për të demonstruar një lloj ‘mbrojtjeje’ për konsumatorin, ministri përmendi edhe rolin e Bordit të Transparencës dhe pa u skuqur tha se na kishte kursyer një rritje çmimi prej… 1 lek.

‘Sot çmimi është 218 lekë dhe mund të kishte hapësirë edhe për një rritje më të lartë me 1 lek dhe nuk është mbledhur bordi’, tha Karakaçi.

Por historia e Bordit të Transparencës si mburojë për qytetarët nuk ngjit më. Mjafton të rikujtohet episodi i pak ditëve më parë, kur bordi vendosi një ulje të menjëhershme të çmimit të naftës prej 14 deri në 15 lekësh, vetëm për ta tërhequr vendimin brenda 24 orësh, si një refleks ndaj presionit të tregtarëve të mëdhenj.

Në vendimin e datës 27 mars, bordi caktoi që nafta të shitej me 203 lekë për litër, ndërkohë që deri në atë moment çmimi luhatej në intervalin 215 deri në 217 lekë. Por ky vendim nuk zgjati as 24 orë.

Menjëherë reaguan importuesit e mëdhenj të karburanteve, të cilët paralajmëruan Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë se, për të shmangur shitjen nën kosto, do të detyroheshin të pezullonin furnizimin me shumicë dhe të kufizonin zhdoganimin në Porto Romano.

Shkresat e importuesve drejtuar ministrive, të raportuara nga ‘Monitor’ ishin presion i drejtpërdrejtë ndaj qeverisë dhe kjo e fundit u zbyth menjëherë duke hedhur në koshin e plehrave vendimin e bordit të Transparencës.

Importuesit argumentonin se çmimet e vendosura nga bordi ishin nën kosto dhe paraqisnin përllogaritje konkrete për diferencën. Sipas tyre, ‘Nafta rezulton 18.2 lek/litër më e lartë, ndërsa ajo e Benzinës 9.7 lek/litër më e lartë’, një hendek që, sipas kompanive, e bënte të pamundur vijimin normal të tregtimit.

Kërkesa ishte e qartë: të mblidhej urgjentisht ‘Bordi i Transparencës dhe kufizimit të përkohshëm të çmimit të tregtimit me shumicë/pakicë të nënprodukteve të naftës dhe gazit’ për të miratuar çmime të reja. Dhe kështu ndodhi.

Vetëm një ditë më pas, qeveria u tërhoq në heshtje dhe e rishikoi vendimin, duke e çuar çmimin e naftës në 218 lekë për litër. Ky episod e zhvesh nga çdo autoritet real Bordin e Transparencës, duke e kthyer në një instrument formal, që në rastin më të mirë gabon në përllogaritje, dhe në rastin më realist dorëzohet përballë presionit të tregut.

Për pasojë, Shqipëria vijon të mbetet një anomali në rajon. Çmimet e naftës janë 30 deri në 40 për qind më të larta se në vendet fqinje, ndërsa diferenca justifikohet nga vetë industria me taksat e shumta që ka vendosur qeveria Rama.

Sot, një shqiptar paguan rreth 1.16 euro taksa për litër, ose 53 për qind të çmimit final. Në krahasim, një qytetar në Maqedoninë e Veriut paguan 0.58 euro, në Mal të Zi 0.55 euro, ndërsa në Kosovë 0.67 euro për litër.

Prandaj shqiptarëve që u bie më mirë të marrin makinat, të kalojnë kufirin për në Malin e Zi apo në Maqedoninë e Veriut dhe të furnizohen atje me naftë apo benzinë. Llogaritjet janë se për çdo ditë, ky varg makinash me serbatorin bosh nxjerr nga ekonomia shqiptare deri në 1 milion euro në ditë./Lapsi.al