Politikë

Çmimi i naftës në Shqipëri, Shehaj akuza Ramës: Takson shqiptarët 60%

Kryetari i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar për çmimin e lartë të karburanteve në Shqipëri, duke e krahasuar atë me vendet e rajonit dhe duke theksuar se shkaku kryesor janë taksat e larta.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë paguajnë më shumë për çdo litër nafte krahasuar me Kosovën, Maqedoninë e Veriut apo Serbinë, për shkak të barrës fiskale mbi karburantin.

“Arsyeja pse qytetarët shqiptarë paguajnë shumë më shumë për çdo litër nafte janë taksat që Edi Rama i ka vendosur mbi naftë”, u shpreh Shehaj.

Ai solli edhe shifra konkrete, duke theksuar se në Shqipëri çmimi i naftës ka arritur rreth 199 lekë për litër (mbi 2 euro), ndërsa në vendet e rajonit është dukshëm më i ulët.

Sipas tij, rreth 60% e çmimit të karburantit në Shqipëri përbëhet nga taksat, ndërsa në vendet e tjera të rajonit kjo përqindje është rreth 40%.

“Në Shqipëri pothuajse 60% e asaj vlere i shkon shtetit… në vendet e tjera flasim për rreth 40%”, deklaroi ai.

Shehaj akuzoi qeverinë për politikat fiskale, ndërsa premtoi ulje të taksave nëse do të vijë në pushtet.

“Ditën që ne do të jemi në qeveri, Shqipëria do të ketë taksat mbi naftën më të ulëta se çdo vend tjetër i rajonit”, shtoi kreu i “Mundësia”.