Detaje/ SPAK u komunikon akuzat anëtarëve të Komisionit të Ofertave për Aeroportin e Vlorës!
Prokuroria e Posaçme raportohet se u ka komunikuar akuzat e para anëtarëve të Komisionit të Ofertave, të cilët kanë miratuar si në përputhje me ligjin, ofertën e bërë nga një bashkim kompanish për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Dyshimet janë se fituesi është paracaktuar ndaj dhe anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave u janë komunikuar akuzat për “Shkelje të barazisë në tendera”.
Mirëpo, Klodian Braho si një nga prokurorët e çështjes dhe njëkohësisht drejtues i Prokurorisë së Posaçme, nuk është mjaftuar me komunikimin e akuzës për anëtarët, por kërkon përgjegjësi edhe te zyrtarët më të lartë që kanë finalizuar marrëveshjen, shrkruan newsbomb.
Projekti i aeroportit të Vlorës lindi si një premtim i hershëm elektoral i kryeministrit Edi Rama, ndonëse vetë studimet e qeverisë e konsideronin atë të paleverdisshëm nga ana ekonomike, me risqe të larta dhe normë të ulët të kthimit të investimit.
Megjithatë, qeveria këmbënguli që ta ndërtojë atë, duke vënë në dispozicion të projektit një garanci prej 138 milionë euro të taksapaguesve përgjatë 10 viteve të para të operimit.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli në mars të vitit 2021 fituesit e kontratës koncesionare; një koncorcium i përbërë nga kompania Mabco Construction SA e biznesmenit kosovar, Behgjet Pacolli, kompania turke YDA Group dhe 2A Group në pronësi të Valon Ademit, një tjetër biznesmen nga Kosova.
Konsorciumi fitues ofroi një vlerë investimi prej 104 milionë eurosh dhe në maj të vitit 2021 themeloi kompaninë koncesionare, Vlora International Airport, VIA, me kuota të ndara në 58% për Pacollin, 40% për kompaninë turke dhe 2% për Valon Ademin, sipas investigimit të BIRN.
YDA Group u përfshi në konsorcium për kapacitetet e saj teknike në operimin e aeroporteve, por në shtator 2022, ajo u largua nga projekti me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës, duke i shitur Pacollit paketën e vet të aksioneve për 4450 euro.
Largimi i kompanisë turke e ngjiti kompaninë Mabco Construction në kuotën e 98% të aksioneve, ndërkohë që ortaku i tij, 2A Group e Valon Ademit mbeti me 2%. Por në tetor 2025, një konflikt gjyqësor shpërtheu mes ortakëve për ndarjen e aksioneve.
Kompania 2A Group dorëzoi një padi në Gjykatën e Tiranës, përmes së cilës pretendon regjistrimin e një kontrate noteriale të nënshkruar mes tij dhe Behgjet Pacollit për blerjen e 47% të aksioneve të VIA, veprim që sipas tij ishte refuzuar të kryhej nga asambleja e kompanisë Mabco Construction. Mabco Construction e kundërshton kontratën si të falsifikuar dhe ligjërisht të pavlefshme, por më 17 tetor 2025 Gjykata e Tiranës vendosi të pezullojë votën e Mabco Construction deri në zgjidhjen e çështjes në themel.
Vendimi u apelua dhe më 22 dhjetor, Gjykata e Apelit e zbuti masën e sigurimit të padisë vetëm për 47% të aksioneve të kontestuara, ndërsa i njohu kompanisë së Behgjet Pacollit të drejtën e votës për 51% të kuotave në VIA.
Pas vendimit të Apelit, 2A Grouppretendon se ka fituar sërish të drejtën për të bllokuar votën e Mabco Construction përmes një vendimi të ri të Gjykatës së Tiranës më 24 dhjetor 2025, e shqyrtuar nga një gjyqtar tjetër. Vendimi nuk është zbardhur ende nga gjykata.
Njëkohësisht, palët kanë depozituar kallëzime penale kundër njëri-tjetrit me akuza të manipulimit dhe mashtrimit.
