Erion Braçe sërish në SPAK!
Deputeti i PS-së Erion Braçe, këtë të mërkurë është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme, teksa në duar mbante edhe një dosje.
Mësohet se Braçe ka qëndruar për thuajse një orë në ambientet e SPAK dhe pas daljes, ka dhënë një prononcim për gazetarët.
Kujtojmë që deputeti socialist, u paraqit edhe javën e kaluar në SPAK, pasi ndaj tij është bërë një kallëzim nga biznesmeni Anduel Çekrezi, në kuadër të një konflikti të gjatë pronësie në zonën e Imshtës në Lushnje.
Çështja ka të bëjë me pretendimet për zaptimin e tokave të banorëve për ndërtimin e një parku fotovoltaik.
Mësohet se konflikti mes palëve e ka zanafillën prej disa vitesh, ndërsa nuk kanë munguar as përplasjet publike dhe replikat në rrjete sociale.
Biznesmeni ka paraqitur dokumentacionin përkatës të pronësisë, duke pretenduar se toka është blerë në mënyrë të rregullt.
Nga ana tjetër, deputeti Braçe këmbëngul se bëhet fjalë për tokë publike, madje duke pretenduar se është privatizuar edhe një pjesë e lumit.
Burimet bëjnë me dije se përplasja mes palëve tashmë ka marrë rrugën ligjore dhe pritet të shqyrtohet nga organet e drejtësisë.
E gjithë situata u rikthye në vëmendje pas denoncimeve publike të deputetit, i cili pretendon se toka pranë lumit Seman, e përdorur tradicionalisht nga banorët, po merret në mënyrë të paligjshme për interesa private.
Në anën tjetër, biznesmeni kundërshton këto pretendime dhe i është drejtuar drejtësisë për të sqaruar ligjshmërinë e pronësisë.
