Kronikë

Fatura 46.5 milionë euro – Çfarë rrugësh do të mirëmbajë ARRSH me kaq para’, ato që po shemben?!

Një faturë tepër e kripur prej 46.5 milionë eurosh do të shpenzohet nga qeveria shqiptare për të mirëmbajtur rrugët kombëtare. Vlera e akorduar është nga më të mëdhatë ndonjëherë në Shqipëri, teksa shënon një rritje tepër të madhe në krahasim me vitin që kaluam, megjithëse gjatë këtyre kohëve ka patur një mori shembjesh dhe problematika në akset e rindërtuara së fundmi.

Por, kjo s’e ka penguar drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, për të hapur “thesin” me para’, të cilat pritet të ndahen gjatë muajve në vijim. Por, koha e ka treguar se mirëmbajtja e këtyre akseve është bërë sa për sy e faqe, me barriera të prishura, asfalt të çarë e me gropa. Gjithashtu me shembje në shumë akse dhe askush nuk mban përgjegjësi.

Më shumë sesa vlera që kanë akorduar, duhet që këta shtetarë në fillim të rregullojnë dhe të plotësojnë dokumentet duke i detyruar firmat për të qenë sa më prezente në rrugë dhe jo të dërgojnë 2 a 3 punëtorë për të hequr vetëm barërat e këqija buzë akseve kombëtare. Koha e ka treguar se paratë janë shpërdoruar në mënyrën më të keqe, nga projektimi, ndërtimi apo mirëmbajtja e rrugëve.

Paratë s’kanë munguar asnjëherë dhe gjithkush, ata që qëndrojnë në zyrat e shtetit, apo ata që marrin nga ato zyra shuma me shumë zero, duhet të mbajë përgjegjësi.

Fatura 46.5 milionë euro – Çfarë rrugësh do të

Faksimile: Autoriteti Rrugor hap “thesin”, 46.5 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve

Vox News ka hulumtuar dokumente zyrtare, ku rezulton se Autoriteti Rrugor Shqiptar, me disa ish-drejtorë në burg, një në arrest shtëpie e me dhjetëra zyrtarë të hetuar, ka parashikuar për të shpenzuar një shumë të madhe për rrugët. Dokumenti bën fjalë për “mirëmbajtje me performancë të akseve kryesore të katër rajoneve”, teksa tenderët do të ndahen në plot 4 lote.

Fondi limit i të 4 loteve është plot 4,469,591,792 lekë, ose 46.5 milionë euro. Nuk bëhet fjalë për ndërtime rrugësh, por për punime për mirëmbajtjen e tyre. Vox News ka mësuar se kjo është shuma më e lartë që shteti shqiptar ka akorduar për mirëmbajtjen, teksa një vit më parë vlera llogaritej në rreth 30 milionë euro. Të dhënat e ARRSH-së flasin se kërkohet të mirëmbahet rreth 3.500 kilometra, ndërsa punimet duhet të jenë për pastrim dhe riparime. Ndërkohë, i njëjti institucion bën tendera edhe për sinjalistikë apo edhe për eliminimin e “pikave të zeza”, duke e shtuar koston në disa milionë euro të tjera.

Por, çfarë do të mirëmbajë ARRSH, akset që u shembën?!

Natyrisht, pas kësaj vlere të madhe lindin shumë pyetje, duke qenë se në 2 vitet e fundit, disa rrugë janë shembur, të tjera me plasaritje dhe disa tunele të ndërtuara rishtazi kanë pasur probleme. Mësohet se gjatë 24 muajve të fundit janë regjistruar më shumë se 30 raste shembjesh dhe rrëshqitjesh në akset rrugore, disa me shembje të pjesshme të trupit të rrugës, të tjerat me rrëshqitje dheu dhe në disa raste çarje dhe deformime të asfaltit.

Ka pasur probleme në rrugën e reKorçë-Ersekë, në aksin Elbasan – Librazhd, në Maliq – Lozhan, Përmet – Çarshovë apo shembja e disa javëve më parë në rrugën Librazhd – Prrenjas. Probleme ka pasur edhe në zonën e Ujit të Ftohtë në Tepelenë apo edhe në aksin e inauguruar 1 vit më parë, Qukës – Qafë Plloçë. Shembje ka pasur edhe Rruga e Arbrit, rruga e Lurës apo edhe Unaza e Burrelit.

Gjithashtu probleme ka pasur edhe në tunelin e “florinjtë” të Llogarasë, ku u raportuar probleme strukturore, tuneli i Murrizit apo vërshimi i ujërave në tunelin e aksit Kardhiq – Delvinë. Madje, në disa prej këtyre tuneleve, ARRSH ka hapur tendera për rregullimin e tyre. Duket se, arsyet e këtyre problemeve kanë qenë bërja e projekteve, në shumë raste të dobëta gjeologjike. Gjithashtu edhe ndërtimet e tyre me cilësi të ulët, teksa nuk ngel pas as mbikëqyrja apo mirëmbajtja.

Megjithatë, në vend që këto “defekte” të hetohen penalisht, apo të verifikohen administrativisht, vetë qeveria shton fondet duke tentuar të mbulojë defektet. Koha e ka treguar se, sa më shumë fonde të ketë, vjedhjet do të rriten!Vox news.