Hetimet ndaj Ballukut/ SPAK nis zbërthimin e 80 pajisjeve elektronike të njerëzve të ish-zv/kryeministres
Vetëm pak ditë pasi, gjyqtari Erjon Çela vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë SPAK, për të lejuar ekspertimin e paisjeve kompjuterike dhe elektronike të sekuestruara në periudhën Dhjetor 2025 deri Janar 2026, tek disa biznesmenë ndërtimi, mësohet se me urdhër të prokurorit Dritan Prençi, është kërkuar ekspertimi i kompjuterave, lap-topave dhe aparateve telefonike.
Gazetari Elton Qyno, ka mësuar se këto pajisje i janë përcjellë një grupi ekspertësh kibernetikë që shërbejnë në SPAK dhe është kërkuar kopimi i të dhënave, kçyrja dhe evidentimi i çdo materiali që ka vlerën e provës materiale.
Mësohet se bëhet fjalë për gati 80 pajisje në total që duhet të ekspertohet. Këto paisje i përkasin zyrtarëve të ministrisë së Energjisë dhe Transporteve dhe disa prej biznesmenëve që kanë fituar 7 procedurat tenderuese për ndërtimin e Unazës së Madhe në Tiranë dhe Tunelin e Llogarasë në Vlorë.
Pak ditë më parë GJKKO i dha dritën jeshile SPAK-ut për të këqyrur celularët dhe pajisjet kompjuterike të sekuestruara në muajt dhjetor dhe janar, në kuadër të hetimeve ndaj ish zëvendës kryeministres dhe ish ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e cila po hetohet për paracaktim të tenderave në vlera miliona euro.
Ndërkohë, Belinda Balluku pret shqyrtimin e rekursit nga Gjykata e Lartë, ku kundërshton masën e sigurisë “ndalim për të dalë jashtë vendit”. Ndërsa, pritet t’i drejtohet kësaj gjykate me rekurs edhe për masën që mbeti në fuqi ndaj saj atë të pezullimit nga ushtrimi funksioneve.
Ish-numri dy i qeverisë është marrë zyrtarisht nën akuzë për paracaktimin e tenderit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë si dhe është nën hetim edhe për 7 Lotet e Unazës së Madhe.
Pak javë më parë, socialistët, me votën e tyre në Kuvend, refuzuan t’i heqin imunitetin e deputetes ish zv kryeministres, duke mos lejuar SPAK që të veprojë me një masë më të ashpër sigurie.

