Iu gjetën mijëra rrënjë kanabis në banesë, dorëzohet në polici Bilal Hasa
Merr zhvillime të reja çështja e operacionit policor të koduar “Kurtaj”, ku pak ditë më parë u zbulua një ambient i përshtatur për kultivimin e kanabisit në fshatin Kurtaj, në Njësinë Administrative Gjocaj. Burime bëjnë me dije se drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, është vetëdorëzuar pranë organeve të policisë, pasi më herët ishte shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve.
Sipas të njëjtave burime, Hasa ka mohuar çdo përfshirje në aktivitetin e paligjshëm, duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me kultivimin e bimëve narkotike të zbuluara në magazinë. Ai ka pretenduar se prej disa muajsh nuk ka frekuentuar objektin në fjalë dhe nuk ka pasur dijeni për veprimtarinë që mund të jetë zhvilluar aty.
Ndërkohë, hetimet kanë hapur edhe pista të tjera. Një burim zyrtar policor bën me dije se po verifikohet mundësia që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike në ambientet e magazinës të jetë kryer nga vëllai i Hasës, i cili banon në zonë.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, operacioni “Kurtaj” u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit. Gjatë kontrolleve në një magazinë, në pjesën e bodrumit, u zbuluan dy ambiente të përshtatura posaçërisht për kultivimin e kanabisit në kushte të mbyllura me anë të ndriçimit artificial. Në total u evidentuan rreth 4000 bimë narkotike.
Gjithashtu, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme pajisjesh elektrike, përfshirë llamba, neonë dhe sisteme të tjera që dyshohet se shërbenin për mbajtjen në funksion të aktivitetit të paligjshëm. Nga veprimet e para hetimore rezulton se objekti është në pronësi të Bilal Hasës, çka çoi fillimisht në shpalljen e tij në kërkim.
Në kuadër të të njëjtit operacion, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, është shpallur në kërkim edhe një tjetër shtetas me iniciale E. M., përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa autoritetet synojnë të zbardhin plotësisht skemën e kultivimit dhe të identifikojnë të gjithë personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
