“Jam i vetmi njeri i arrestuar nga dikush që nuk ekziston”/ Veliaj në Gjykatën Administrative: Kam frikë se e gjithë kjo është një intrigë
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka deklaruar në seancën e Gjykatës Administrative se mendon se e gjithë kjo është një intrigë sa i përket dekretit të presidencës për prokurorin Ols Dado.
Kryebashkiaku i Tiranës shtoi gjithashtu se është arrestuar nga dikush që nuk ekziston, duke iu referuar Nesti Angonit.
Veliaj ka paditur paditur institucionin e Presidentit të Republikës dhe prokurorin Ols Dado duke kërkuar konstatimin e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008, të firmosur nga presidenti i kohës, Bamir Topi. Sipas kërkesë-padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit sepse nuk kishte kryer shkollën e Magjistraturës.
Siç raporton Anila Hoxha, Veliaj deklaroi: “Nuk jam këtu për mëshire, as për dramën e familjes time, se çfarë i ka shkaktuar ai familjes time. Jam këtu për të treguar çfarë i shkaktoi kjo Bashki e Tiranës, kur shikoj njerëz që s’kanë mbaruar magjistraturën dhe arrestojnë njerëz. Jam i vetmi njeri që jam arrestuar nga dikush që nuk ekziston. Nesti Angoni nuk ekziston.
Unë jam kallëzuar për inceneratorët. Dje fitova gjyqin për shpifje, me italianin. Kam frikë se e gjitha kjo është një intrigë. Ku ka dëmtuar Erjon Veliaj në punën e vet? Ajo që më ngacmoi të bëja këtë padi, është i vetmi rast që afati 2-javor për të regjistruar një procedim nuk është regjistruar pas 7 muajsh, kur afati ishte 15 ditor. Kërcej shumë gjëra në këtë proces, ky është një sikaroi që ka marrë këtë gjë në dorë, kjo s’ka lidhje me SPAK apo me reformën në drejtësi. 7 muaj regjistrim procedimi dhe më pas 1 vit tjetër regjistrimi i emrit tim. Më është bërë një veting i jetës sime. Më është hequr jeta kur kam qenë tek Mjaft në 2004.
Më është kërkuar disa herë të ndërhy për lejen e tij tek Rruga e Kavajës, i kam thënë që ti mor njëri nuk e ke me mua, e ke me KKT. Më kanë ardhur edhe drejtoreshat e bashkisë, më kanë thënë që ky njeri nuk është jurist. Ky më ka marrë me telefonin e shtetit dhe kërkonte leje për hallet e veta. Vendosja e njerëzve në detyra kur nuk plotësojnë kriteret, jo vetëm tek unë por tek Bashkia e Tiranës. Sot nuk firmos më tek Bashkia e Tiranës, që kanë të bëjnë me këtë njeriun. Në Bashkimin e Tiranës, sot plehrat janë sheshit, ditën që jam arrestuar kam inauguruar një kopsht në Kashar, janë 14 muaj që s’është hapur një kopsht. Nuk firmos më njëri.
Dreka në shkolla impakton 170 mijë fëmijë në tiranë por kanë ngelur pa drekë, sepse nuk firmos më njëri, nga pastrimi tek çerdhet dhe kopshtet, e shkollat, askush nuk firmos. Nuk mund të thotë KLP që nuk dimë çfarë ka ndodhur para nesh”.
Gjykata iu përgjigj duke thënë të rregullohet padia, në të kundërt brenda 20 ditëve vendoset pushimi i padisë. Gjykata konstaton: “Ka elemente të ndërgjyqësisë, e vendosni ju nëse duhet ta thirrni KLP si palë e paditur por jo si palë tretë”.
Gjykata u jep kohe qe të njihen edhe me prapësimet por duhet të saktësohet në padi nëse do te jetë dhe KLP e paditur.
