Sociale

Kush është rrjeti kriminal i “Bankers” që vodhi miliardat e naftës shqiptare?

Një rrjet nënkontraktorësh satelitë u përdorën nga Bankers Petroleum për të vjedhur miliarda lekë nga pasuria publike e shqiptarëve në vendburimin e Patos-Marinzës. Qinglong, Albtalent, Petrosolution dhe Global Energy Solution janë kompani, të cilat u themeluan thuajse të gjitha në të njëjtën kohë, për të vënë në jetë një skemë të sofistikuar vjedhje dhe transferimit të parave të naftës shqiptare në Kinë. Ndonëse në letra pronarë të këtyre kompanive figuronin disa shtetas nga Kazakistani, prokuroria e Fierit ka provuar se pronarët realë të tyre ishin drejtuesit kinezë të Bankers Petroleum, të cilët janë dhe ideatorët e skemës kriminale. Por si u vodhën shqiptarët përmes kësaj skeme? Bankers Petroleum ka mbi 20 vjet që shfrytëzon vendburimin e naftës në Patos-Marinzë. Që nga fillimi të gjithë punonjësit kanë qenë pjesë e kompanisë. Por në vitin 2021, kinezët shpikën një marifet, atë të delegimit të rekrutimit të punonjësve tek një tjetër kompani. Për këtë qëllim u krijua Albtalent.

Riciklim

E zotëruar në letra nga një shtetas nga Kazakistani, që quhet Dauren Zhumbayev, Albtalent formalisht furnizonte Bankersin me punonjës. Në fakt, këta ishin të njëjtë punonjës që kishin punuar prej vitesh tek Bankers, por skema trekëndësh u ngrit me qëllim që paratë të kalonin nga Bankers tek Albtalent, nga kjo e fundit në Kazakistan dhe më vonë në Kinë. Në 4 vite përmes Albtalent Solution, Bankers transferoi jashtë Shqipërisë rreth 20 milionë euro përmes një aktiviteti që shpesh ishte fiktiv. Pasi skema e faturimeve fiktive u zbulua nga hetimi tatimor, tre muaj më parë, u shfaqën pronarët e vërtetë të Albtalentit. Daren Zhumbayev ja shiti Albtalentit kompanisë Geojade, që është pronari i Bankersit.

Shitja është një tjetër skemë kriminale më vete. Në kontratë palët kanë caktuar se çmimi prej 2.6 milionë eurosh i blerjes së Albtalent nga Geojade do të paguhet në një llogari jashtë Shqipërisë. Pra lekët nuk vijnë asnjëherë në Shqipëri, me qëllim që autoritetet shqiptare të mos kenë mundësi të mbledhin borxhet, dhe aq më pak tatimin mbi fitimin kapital.

Nënkontraktim nënkontraktorësh

Qinlgong, Petrosolution dhe Global Energy Solution, tre kompani me pronarë në letra në Kazakistan, u krijuan për një tjetër qëllim. Për të nënkontraktuar punimet e Bankers në fushë dhe për të marrë me qira pompa apo pajisje të tjera që duheshin në aktivitetin e përditshëm për shfrytëzimin e vendburimit. Madje në disa raste këto kompani kanë bërë nënkontraktim nënkontraktorësh. Pjesa më e madhe e punëve në terren janë kryer nga të njëjtat kompani shqiptare, që kanë punuar me Bankers prej 20 vitesh. Por tashmë kontratat nuk jepeshin direkt nga Bankers tek nënkontraktorët shqiptare, por në skemë trekëndëshi. Bankers ja nënkontraktonte Qinglongut, Petrosolutionit dhe Gesit, ndërsa këto ja u nënkontraktonin kompanive shqiptare. Futja e tre kompanive pykë në skemën e nënkontraktimit kishte dy qëllime. Së pari, që kinezët të vidhnin shtetin shqiptar dhe së dyti aksionerët e tyre. Qinglong, Petrosolution dhe Ges kanë zhdukur të paktën 50 milionë euro nga fusha e Patos Marinzës. Skema e merimangës që kinezët ngritën përmes nënkontraktorëve satelitë, që zotëroheshin realisht po nga ata, ishte arsyeja se pse nisi hetimi tatimor ndaj Bankers Petroleum, i cili çoi në arrestimin e disa punonjësve të kompanisë. Por këto kompani e kryen detyrën e tyre, duke zhdukur paratë e naftës shqiptare pa paguar taksat dhe borxhet që kishin në shtet. Dhe këto para u përdorën për të blerë fusha të reja nafte në Afganistan dhe Irak. Ndërkohë që qytetarët shqiptarë u vodhën.

Nafta shkon në 200 lekë për litër


Ashtu siç ishte paralajmëruar disa ditë më parë se kjo javë do t’i gjente shqiptarët me çmime më të larta të karburanteve. Karburantet kanë ndryshuar tabelat e çmimeve duke fajësuar luftën në Lindjen e Mesme. Rritja e re e çmimeve pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te kostot e transportit, si edhe te shpenzimet e përditshme të qytetarëve. Kjo sepse tregu shqiptar i karburanteve mbetet i ekspozuar ndaj zhvillimeve të jashtme dhe çdo lëvizje në bursat ndërkombëtare reflektohet shumë shpejt edhe në çmimet me pakicë në vend. Me çmimin aktual pranë nivelit 200 lekë për litër, karburantet po rikthehen sërish në një nga shqetësimet kryesore për konsumatorët dhe bizneset, sidomos në një periudhë kur çdo rritje e tillë përcillet zinxhir edhe në çmime të tjera të ekonomisë.

Prof. Asoc. Jorgji Hanxhari:

Zoti Kryeministër, kur nuk di hesht se turpëron veten dhe inteligjencën tonë!

Jorgji Hanxhari

Nuk është aspak e vërtetë, që nga nafta shqiptare nuk mund të prodhohet naftë Diesel dhe benzinë!

Zoti Rama mos trego përralla për fëmijë pasi specialistët flasin me shifra jo me ëndrra!

Injoranca nuk i falet një Kryeministri, i cili mban këshilltarë, që nuk dinë asgjë në këtë fushë që po fut botën në luftë.– Gënjeshtra juaj është e dënueshme edhe moralisht!

Uzinat e Përpunimit të naftës në Fier, Kuçovë, Cërrik dhe Ballsh, përpunonin mbi 1 milion ton naftë. I them zotit Kryeministër, se në këto uzina prodhohej naftë motorrash Diesel, benzinë, squfur, vajra lubrifikante, mazut, bitum. Zoti Kryeministër, nuk ka dashur kurrë që të merret me problemet e naftës dhe të naftëtarëve. Juve (qeveritë e pas 1990) ia u falët apo ja u shitët vendburimet e naftës kompanive të huaja private abuzuese dhe privatëve shqiptare, pa asnjë përvojë në këtë fushë. Aktualisht shteti shqiptar merr vetëm 3 përqind të fitimeve nga nafta, pra merr ca “thërrime” që i hedhin oligarkët.  Gabimi fatal i qeverisë suaj është shitja për skrap e Uzinës së Përpunimit në Ballsh.

SPAK bën gati qelitë për kapobandën e “Bankers”

SPAK do të nxjerrë para drejtësisë të akuzuarit e aferës së “Bankërs”, për shpërdorim detyre dhe pastrim parash. Pesë të akuzuarit, do të përfundojnë në burg pas hetimeve katërvjeçare ndaj kompanisë që gllabëron naftën e nxjerrë nga toka shqiptare. Paratë e fituara, në vend që të investoheshin për shërbime ndaj qytetarëve dhe arkat e shtetit, përfunduar në xhepat e drejtuesve të “Bankers” dhe zyrtarëve të korruptuar.

Çështja “Bankers”, SPAK përfundon hetimet, u komunikon akuzat të pandehurve

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet në lidhje me dosjen e Bankers. SPAK ka komunikuar akuzat ndaj ish-administratorit, Leonidha Çobo, Ritvan Zoto, Elvira Plaku, si dhe tre ish-punonjësve të Ministrisë së Financave. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, vjedhje për shkak të shpërdorimit të detyrës dhe pastrim parash. Hetimet kanë nxjerrë në pah se personat blinin toka dhe më pas i jepnin me qira me çmime të larta kompanisë “Bankers”. Çështja ishte më parë pushuar nga Prokuroria e Fierit, por më pas është rihapur nga SPAK. Hetimet për aferën e “Bankers” vazhdojnë ende, ndërsa prokuroria pritet të marrë masa të mëtejshme ndaj të përfshirëve.