Manchester City mposht Newcastle dhe përballet me Arsenal në finale të kupës
Manchester City është ekipi i dytë finalist i EFL Cup në Angli, pasi të mërkurën mposhti Newcastle në shtëpi, duel i mbyllur në shifrat 3-1. Të besuarit e Guardiolës zhvilluan një 90 minutësh pozitiv, duke mos i lënë shumë hapësira kundërshtarit dhe ndëshkuar në 3 momente.
Në total, për të dyja ballafaqimet, qytetarët regjistruan rezultatin 5-1. Omar Marmoush ishte në superformë të mërkurën dhe ishte pikërisht asi egjiptian që i dha avantazhin të tijve që në minutën e 7-të.
Pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e trefishtë, pasi Marmoush do të realizonte golin e dytë dhe pas tij holandezi Reijnders dërgoi shifrat në 3-0. Pas disa mundësive të shpërdoruara, Anthony Elanga shënoi për Newcastle në minutën e 62’. Nëj gol që vlejti vetëm për statistikë, pasi asgjë nuk ndryshoi sa i përket fatit të ekipit që u eliminua.
Man Ciy kalon kështu në finalen e kupës së ligës, aty ku do të përballet me Arsenalin, skuadrën më në formë të momentit. Ndeshja në fjalë luhet pasditen e 23 marsit në Wembley dhe pritet të prodhojë spektakël.
