Martin Mata, ‘mjeshtri’ i fondacionit ‘amerikan’ që shmangu taksat në SHBA, mori nën kontroll pasuritë kombëtare dhe u bë shtet brenda shtetit
I regjistruar në Delaware, pa deklarime tatimore për vite, nën hetim nga Shërbimi i Brendshëm i Taksave SHBA (IRS) dhe me akses të drejtpërdrejtë në ligje, pasuri kulturore dhe vendimmarrje politike në Shqipëri, Fondi Amerikan Shqiptar për Zhvillim me në krye Martin Matën, është kthyer në një strukturë paralele pushteti, që vepron pa transparencë, pa kontroll dhe me ndikim të frikshëm mbi shtetin shqiptar…
Martin Mata është drejtuesi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), një strukturë që në publik shitet si fondacion bamirësie, por që në praktikë ka vepruar për më shumë se një dekadë si një aktor me pushtet real mbi pasuri publike, projekte shtetërore dhe vendimmarrje strategjike, pa qenë institucion shtetëror, pa qenë subjekt privat i ekspozuar ndaj konkurrencës dhe pa iu nënshtruar kontrollit që u kërkohet zakonisht organizatave jofitimprurëse në Shqipëri.
Martin Mata është një nga ata njerëz që politika shqiptare i ka përdorur, i ka shtrydhur dhe më pas i ka ricikluar si “teknikë”, si “menaxherë”, si “drejtues fondacionesh”, për të vazhduar të njëjtin rol të vjetër, atë të ndërmjetësit të pistë mes pushtetit dhe parasë. Mata ka qenë drejtor komunikimi në Agjencinë Shtetërore të Privatizimeve dhe këshilltar politik i kryeministrit, dhe sot ndodhet në krye të një fondacioni që po menaxhon pasuri publike, duke kaluar nga zyrat e shtetit te drejtimi i një OJF-je që vepron si administrator territori.
AADF është regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Delaware, dhe ky fakt është përdorur për vite me radhë si një lloj certifikate morale që e ka vendosur fondacionin mbi çdo dyshim dhe mbi çdo kontroll në Shqipëri, sepse etiketa “amerikane” ka mjaftuar për të hapur dyer në qeveri, për të kaluar pa debat në Kuvend, për të shmangur verifikime nga institucionet dhe për të heshtur çdo zë kritik që kërkonte transparencë mbi mënyrën se si një OJF merrte në dorë projekte, prona dhe funksione që zakonisht i përkasin shtetit.
Bordi i AADF ndodhet në Shtetet e Bashkuara dhe përbëhet kryesisht nga shtetas amerikanë. Por ky bord nuk ushtron drejtim real në Shqipëri. Vendimmarrja, menaxhimi i projekteve, administrimi i pasurive dhe marrëdhëniet me qeverinë shqiptare zhvillohen ekskluzivisht në Tiranë, nga një strukturë tërësisht shqiptare, e drejtuar nga CEO shqiptar, Martin Mata.
Në Shqipëri, AADF nuk ka bord, nuk ka organ kolegjial vendimmarrës dhe nuk ka asnjë amerikan në zinxhirin real të komandës. Amerikanët janë në bord në SHBA, shqiptarët janë në pushtet në terren. Ky ndarje mes bordi formal jashtë vendit dhe drejtimit faktik brenda Shqipërisë është thelbi i gjithë debatit: vula amerikane shërben si mburojë për CEO-n Martin Mata dhe pazaret e tij me politikanët.
Figura qendrore përkrah Martin Matës në AADF është Aleksandër Sarapuli, i njohur publikisht jo për filantropi, por si përfitues i vazhdueshëm i projekteve, kontratave dhe lejeve në zona strategjike.
Ky fond, nën drejtimin e Martin Matës dhe Aleksandër Sarapulit, ka marrë në administrim pasuri publike me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, si Butrinti dhe Liqeni i Ohrit, duke u futur në zemër të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të vendit, pa garë, pa transparencë dhe pa një mekanizëm kontrolli.
Butrinti nuk iu dha AADF-së pas një procesi konkurrues, por me vendim politik, duke u paraqitur si “zgjidhje amerikane” për menaxhimin e trashëgimisë, ndërkohë që në terren fondi vepron përmes partnerëve privatë, lejeve selektive dhe heshtjes së institucioneve ndaj ndërtimeve dhe shfrytëzimit ekonomik brenda një zone të mbrojtur, në të cilën ndërtoi edhe vilën e tij luksoze Martin Mata.
Pretendimi se bëhet fjalë për një fondacion “amerikan” ka shërbyer për vite me radhë si certifikatë morale, për të mbyllur gojët e institucioneve, për të frikësuar administratën dhe për të neutralizuar çdo kritikë. Por në realitet: AADF nuk ka asnjë amerikan në drejtim, nuk i nënshtrohet ligjit amerikan në aktivitetin që zhvillon në Shqipëri dhe nuk jep llogari para shtetit shqiptar për mënyrën si menaxhon pasuritë publike.
AADF është regjistruar në Delaware, jo sepse aty lulëzon bamirësia, por sepse aty fshihet më lehtë se kush vendos, kush përfiton dhe kush kontrollon paratë. Me këtë adresë amerikane në letër, fondi ka hyrë në Shqipëri si “amerikan”, duke marrë pasuri publike, territore, projekte dhe status të paprekshëm, ndërkohë që në realitet drejtohet nga shqiptarë të lidhur me pushtetin dhe pa asnjë amerikan në bord apo në menaxhim.
Ky regjistrim është bërë pika e dobët e AADF-së, sepse ka ngritur dyshime se statusi jofitimprurës në SHBA është përdorur si mbulesë për veprimtari që nuk kanë lidhje me bamirësinë, por me administrim pasurish, ndikim politik dhe projekte me interes ekonomik jashtë territorit amerikan.
Pikërisht për këtë arsye, IRS ka hapur verifikime, për të kuptuar nëse ky fond përdor emrin “amerikan” si mbulesë për të bërë në Shqipëri atë që nuk do ta bënte dot kurrë në SHBA. IRS, Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme të Shteteve të Bashkuara, është institucioni që kontrollon taksat, fondacionet, organizatat jofitimprurëse dhe mënyrën se si këto struktura përdorin statusin e tyre ligjor.
Në SHBA, një fondacion që mban status “non-profit” nuk mund të sillet si biznes, nuk mund të administrojë prona publike si pronar, nuk mund të ndikojë në vendimmarrje shtetërore dhe nuk mund të shërbejë si ndërmjetës i interesave politike. Në momentin që një strukturë e regjistruar në SHBA vepron jashtë vendit si administrator territori, si garant politik dhe si menaxher projektesh me interes ekonomik, lind dyshimi se statusi jofitimprurës po përdoret si maskë.
Kjo është arsyeja pse AADF është kthyer në problem në Delaware. Sepse atje figuron si fondacion, ndërsa në Shqipëri sillet si autoritet. Atje deklaron bamirësi, këtu merr në dorë Butrintin, Ohrin dhe pasuri publike. Atje mban status të mbrojtur fiskal, këtu ushtron pushtet pa zgjedhje, pa garë dhe pa kontroll. Këto janë pikërisht rastet që IRS amerikane i sheh si abuzim me flamurin “non-profit”.
Duhet theksuar edhe një fakt që e bën këtë histori edhe më delikate: AADF është krijuar fillimisht me fonde të USAID, pra me para të taksapaguesve amerikanë, të destinuara për tranzicionin, zhvillimin dhe mbështetjen institucionale të Shqipërisë pas viteve ’90. Këto fonde nuk janë dhënë për të ndërtuar struktura që më pas të shndërrohen në administratore territori, menaxhere pasurish publike apo nyje ndikimi politik, por për projekte zhvillimi të kufizuara, të matshme dhe me afat.
IRS po shikon pikërisht këtë: nëse një fond i krijuar me para publike amerikane, i regjistruar si jofitimprurës në Delaware, po përdor statusin “amerikan” për të ndërtuar pushtet, ndikim dhe kontroll në Shqipëri, në mënyrë që nuk do t’i lejohej kurrë brenda territorit të SHBA-së. Sepse një fond i lindur nga USAID nuk ka mandat të sillet si pronar apo si koncesionar.
Në këtë pikë lind edhe një pyetje tjetër që nuk është aspak periferike: a është vënë në dijeni administrata amerikane, përfshirë strukturat e ngritura gjatë administratës Trump, për mënyrën se si është përdorur etiketa “amerikane” e këtij fondi në Shqipëri? Sepse gjatë administratës Trump, USAID, fondet e trashëguara prej saj dhe organizatat e regjistruara si jofitimprurëse jashtë SHBA-së kanë qenë objekt i një filtri më të ashpër, pikërisht për shkak të dyshimeve mbi devijimin e misionit dhe kapjen nga interesa lokale.
Administrata Trump e kishte të qartë se “specialistët amerikanë” që veprojnë jashtë SHBA-së nuk janë të paprekshëm vetëm pse mbajnë një emër ose një vulë. Përkundrazi, çdo fond i krijuar me para publike amerikane duhej të justifikonte çdo hap, çdo kontratë dhe çdo ndikim politik. Dhe këtu lind paradoksi: AADF vepron në Shqipëri si autoritet mbi pasuri publike, pa amerikanë realë në drejtim, pa llogaridhënie publike dhe me një rreth drejtuesish shqiptarë të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin politik vendas.
Nëse këto praktika do të zhvilloheshin brenda territorit amerikan, një fond i tillë do të ishte thirrur prej kohësh për shpjegime. Pikërisht për këtë arsye, vëmendja e IRS nuk është rastësore. IRS, si institucioni që kontrollon statusin jofitimprurës dhe përdorimin e fondeve publike amerikane, nuk pyet për retorikë zhvillimi, por për fakte:
A po përdoret vula amerikane për të bërë në Shqipëri atë që nuk lejohet në SHBA?
