Aktualitet

Masakrohet brezi i pishave në Velipojë, leje për hotel dhe pallat 7-katësh në mes të kurorës së gjelbër! (FOTO dhe DOKUMENTE)

Betoni nuk po kursen asnjë prej zonave më të bukura në Shqipëri, teksa në këto radhë do të ndalemi në një nga plazhet më të frekuentuara, Velipojën në Shkodër. Prej shumë vitesh, zona është betonuar fillimisht nga ish-komuna që dha leje kuturu, më pas nga Bashkia e Shkodrës që e mbushi me pallate në zonën ranore dhe tani nga qeveria, e cila jep leje për objekt në mes të pishave.

Fotot dhe dokumentet që ka hulumtuar Vox News tregojnë një batërdi me kurorën e paktë të gjelbër në atë plazh, e cila dita – ditës po zhduket, duke i humbur origjinalitetin e të gjithë zonës. Por, krahas lejes për godinë të stërmadhe, akoma më e dyshimtë mbetet pronësia ku do ndërtohet godina.

Nëse është aktualisht me pisha dhe në zonë ranore, si i doli pronari? Si u certifikua e gjithë zona, kur në fakt është krijuar nga deti Adriatik? Madje, është mbjellë me pemë gjatë kohës së diktaturës? Në këtë vendin tonë asnjë gjë s’të bën çudi, pasi kemi parë sesi i ka dalë pronari përroit, lumit, kanioneve, rërës apo edhe vetë detit, kur në fakt të gjithë ato të sipërcituara janë “pronë e patjetërsueshme shtetërore”.

Masakrohet brezi i pishave në Velipojë, leje për hotel dhe pallat

Masakrohet brezi i pishave në Velipojë, leje për hotel dhe pallat

Faksimile: Leja e KKTU-së për godinën 7 kate në zonën e gjelbër në Velipojë, Shkodër

Sipas dokumenteve që disponon Vox News, KKTU me propozim të subjektit zhvillues shoqërisë “New Era Construction”, ka vendosur miratimin me kusht të lejes së ndërtimit për objektin “Treescape, godinë banimi dhe hotelerie 7 kate me 1 kat nëntokë”, me vendndodhje në Velipojë, Bashkia Shkodër.

Redaksia jonë ka mësuar se leja është miratuar në fund të vitit 2024, ndërkohë që vetëm gjatë muajit mars 2025 është zbardhur. Mësohet se, firmat fituese plotësoi disa dokumente, si lidhja me tokën apo besueshmëria e godinës, ndërkohë që tepër e dyshimtë mbetet fakti i pronësisë.

Në dokumentet shoqëruese shkruhet se “zona e projektit ndodhet në një zonë bregdetare të Velipojës, me distancë rreth 130 km nga qendra e qytetit Tiranë”. Sipas saj, projekti është një investim që iniciohet nga investitorë private, teksa shoqëria “NewEra Construction” prej kohësh bashkëpunojnë në fushën e ndërtimit të objekteve të ndryshme banimi shumëkatëshe.

“Objekti propozohet në vijën bregdetare të zonës urbane të Velipojës, me sipërfaqe të përgjithshme të truallit 2934 m². Lidhur me sa më sipër, zhvilluesi synon të promovojnë Velipojën si një destinacion turistik tërheqës për vizitorë vendas e te huaj, duke mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, në përpjekje maksimale të përmbushjes së kërkesave të tyre nëpërmjet ofrimit të shërbimeve, në një mjedis të sigurt duke parashikuar edhe vijimësinë për brezat e ardhshëm” thuhet në dokumentet e lejes.

Masakrohet brezi i pishave në Velipojë, leje për hotel dhe pallatMasakrohet brezi i pishave në Velipojë, leje për hotel dhe pallatMasakrohet brezi i pishave në Velipojë, leje për hotel dhe pallat

Masakrohet brezi i pishave në Velipojë, leje për hotel dhe pallat

Faksimile: Zona ku do ndërtohet është me pisha dhe me rërë, ngjitur me plazhin

Vox News ka analizuar dokumentin e lejes ku shkruhet se “sheshi ndodhet në një zonë me reliev me tërësisht të sheshtë të tipit ranor, buzë bregdetit Adriatik”. Firma e pranon dhe vetë se ndërtimet do të jenë në zonën me pisha dhe ranore. Por, a nuk e panë krerët e KKTU-së këtë detaj? Si mund të bëjnë aksione për lirimin e plazheve nga kioskat, shezllongët apo ndërtimet me dru dhe të japin leje për godinë shumëkatëshe?

Sipas vetë dokumentit, Zona në të cilën propozohet zhvillimi ka akses shumë të shpejtë në rrjetin rrugor lokal dhe kombëtar. “Bregdeti i Velipojës ka pasur një zhvillim relativisht të vrullshëm gjatë 20 viteve të fundit kryesisht në drejtim të objekteve rezidenciale. Oferta e shërbimit hotelier në këtë zonë është rritur gjatë 10-vjeçarit të fundit me kapacitet të ulët pritës” thuhet në letra.

Masakrohet brezi i pishave në Velipojë, leje për hotel dhe pallat

Masakrohet brezi i pishave në Velipojë, leje për hotel dhe pallat

Në foto: Projekti i godinës 7 katëshe në mes të rërës dhe pishave në Velipojë

Në dokument shkrihet se “i ndodhur përgjatë bregdetit te Velipojës, Treesscape synon ndërtimin e një hoteli bregdetar me rreth 47 dhoma hoteli në plazhin e Velipojës si dhe 62 apartamente”. Sipas saj, objekti i ri do të zhvillohet në pjesën e brendshme të pronës në mes të pishave dhe për këtë arsye  edhe objekti i ri ka një arkitekturë që synon të shkrihet me natyrën.

“Do të jete një hotel prej 7 kateve ku në katin përdhe janë të organizuara shërbimet e hotelit si recepsioni, restoranti, zyra etj. Në katet e mësipërme janë dhomat e hotelit te cilat përveç ndriçimit elektrik do të kenë dhe ndriçim natyral pasi janë të rrethuara nga vetratat. Hoteli dhe rezidenca (Treesscape) që synon të ndërtohet në Velipojë, ngjitur me pedonalen në zonën bregdetare dhe shumë afër qendrës së Velipojës ka një pamje mbresëlënëse”, vijon dokumenti.

©Copyright Vox News