Motra e Ergysit Agasit largohet nga posti si drejtoreshë, e transferojnë me “ulje”
Viola Agasi, motra e biznesmenit të shpallur në kërkim nga SPAK, Ergys Agasi, është larguar nga detyra si drejtuese e Drejtorisë Juridike, Integrimit dhe Prokurimeve e-Gov dhe TIK, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Newsbomb mëson se me emërimin e drejtuesit të ri të AKSHI-t dhe bujën që shkaktoi në media implikimi i vëllait të saj, si person i dyshuar në disa ngjarje kriminale, Viola Agasi është larguar nga detyra si “numri 3” i agjencisë.
Institucioni shtetëror strategjik që siç arriti të zbuloi Prokuroria e Posaçme, ishte de fakto nën kontroll nga biznesmenët Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri – të cilët kishin në dorë të gjitha procedurat e prokurimit (tenderat) – strehon edhe familjarët e këtyre personazheve.
Tenderat për të cilët Ergys Agasi urdhëronte pengmarrjen e rivalëve, si në rastin e Gerond Meçes, kalonin në duart e motrës së tij.
Viola Agasi si drejtuese e Prokurimeve në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit jepte “OK” që t’i fitonte i vëllai biznesmen.
Motra e biznesmenit në kërkim Ergys Agasi është transferuar në një dikaster tjetër inferior brenda AKSHIT-t.
