BotaEkonomi

Nafta në Mal të Zi 1.5€/Litri

Gjatë javëve të fundit, çmimi i naftës në Shqipëri ka kapërcyer kufirin e 214 lekëve për litër, një shifër që bie ndesh me çmimet në Malin e Zi, ku tregtohet mesatarisht me 1.5 euro (rreth 152-155 lekë me kursin aktual).

Kjo diferencë drastike prej afro 60 lekësh për litër ka rihapur debatin mbi atë që cilësohet si “pesha e luftës” në xhepin e qytetarëve. Ndonëse bursa ndërkombëtare e naftës është e përbashkët për të gjithë operatorët e rajonit, fatura finale që paguhet në Shqipëri mbetet më e larta, duke e renditur vendin tonë në majat e listave europiane për koston e karburanteve në raport me fuqinë blerëse.

Ku ndahen Shqipëria dhe Mali i Zi? Arsyeja kryesore e këtij hendeku nuk qëndron te kostoja e importit, por te struktura fiskale. Në Shqipëri, mbi 50% e çmimit që qytetarët paguajnë në pompë përbëhet nga taksat. Për çdo litër naftë, përveç akcizës, aplikohet taksa e qarkullimit (e cila në vendet e tjera shpesh paguhet si tarifë vjetore mjeti), taksa e karbonit, si dhe tarifa për markimin dhe skanimin. Të gjitha këto rëndojnë mbi çmimin bazë, duke u pasuar nga TVSH-ja që llogaritet mbi totalin e tyre.

Nga ana tjetër, Mali i Zi ka adoptuar një politikë më elastike për të mbrojtur konsumatorin. Gjatë kulmeve të krizës, qeveria në Podgoricë ka ndërhyrë duke reduktuar akcizën deri në 20-30%, një lëvizje që ka frenuar rritjen e pakontrolluar në pikat e pakicës. Në kontrast, në Tiranë, mekanizmi i taksave ka mbetur i paprekur, duke bërë që çdo lëvizje e bursës të reflektohet menjëherë te qytetari.

  1. Në kushtet kur pagat mesatare në Shqipëri mbeten ndër më të ultat në Europë, çmimi i naftës ka shkuar kacafiu.