Niko Peleshi me dy deputetë opozitarë në Gjermani (por jo nga PD)
Një delegacion i Kuvendit të Shqipërisë, i kryesuar nga kryeparlamentari socialist Niko Peleshi, është duke zhvilluar një vizitë zyrtare në Berlin, në Bundestag. Ata janë pritur nga presidentja Julia Klöckner dhe të tjerë zyrtarë të lartë gjermanë.
Peleshi tregon se në fokus të bisedës dhe takimit ka qenë mbështetja e vazhdueshme e Gjermanisë për rrugëtimin europian të Shqipërisë, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe i bashkëpunimit parlamentar.
“Partneriteti i shkëlqyer Shqipëri-Gjermani mbetet një faktor kyç për mbështetjen e zhvillimit ekonomik, avancimin e reformave, stabilitetin rajonal dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, thekson ai, teksa ndan pamje nga vizita zyrtare në Berlin.
Bie në sy se pjesë e delegacionit zyrtar që shoqëron Niko Peleshin në Bundestagun gjerman janë dhe deputetët opozitar Redi Muçi nga partia Lëvizja Bashkë dhe Edmond Haxhinasto, nga Partia e Lirisë.
Ligjvënësit shqiptarë dhe kryeparlamentari Niko Peleshi janë njohur me ambientet e punës së homologëve të tyre gjermanë dhe sallën kryesore të Bundestagut, ku zhvillohen debatet mes ligjvënësve të partive të ndryshme gjermane.
Ndërkohë, nga mazhoranca pjesë e delegacionit janë Taulant Balla, Iris Luarasi dhe Erion Malaj.
