BotaPolitikë

Njëri nga Kuvendi, tjetri nga Facebook: Shqipëria, vendi i vetëm në Europë që i shpall “luftë” Iranit

Shqipëria ka miratuar një rezolutë në Kuvend, me të cilën e shpall Iranin si një vend që sponsorizon terrorizmin.

Rezoluta u miratua vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita e bojkoti me argumentin se ishte një iniciativë personale e socialistëve.

Por më pas, Sali Berisha duket se është penduar dhe ka vendosur ta shpallë dhe ai Iranin si shtet terrorist.

Por ndryshe nga Rama, që e shpalli në Kuvend, Berisha e ka shpallur në Facebook-un e tij.

Gara qesharake mes Ramës dhe Berishës, se kush është më i egër kundër Iranit, për të rënë në sy të amerikanëve, është në kontrast të plotë me europianët.

Deri më tani, gjithë vendet e Europës, por dhe ato në rajon, pra fqinjët tanë, janë përpjekur të qendrojnë larg konfliktit të SHBA-Izrael me Iranin.

Madje dhe aleatë historikë apo të rinj të SHBA, si Anglia në rastin e parë, apo Italia, kryeministrja e së cilës, ka një lidhje të ngushtë të Donald Trump.

Kështu, me radhë, Anglia, Gjermania, Franca, Itali, Turqia po e po, e deri tek Greqia apo Serbia, janë treguar të kujdesshëm, duke deklaruar se lufta në Iran nuk ka lidhje me ta.

I vetmi vend që i është bashkuar aleancës SHBA-Izrael, edhe pse simbolikisht, është vetëm Shqipëria.

Kuptohet, ne s’kemi asnjë peshë ushtarake dhe nuk mund t’i ndihmojmë dot.

Por si gjest, ju shërben dhe ndaj Izraeli reagoi pas miratimit të rezolutës.

Tani, kushdo mund të thotë se ne na takon të mbajmë qendrim ndaj Iranit, sepse na kanë rënë më qafë me sulme kompjuterike.

Vetëm se, lufta e vërtetë nuk bëhet me rezoluta.

Dhe ne, fatkeqësisht, për momentin veç ato na kanë mbetur, se realisht nuk kemi as fuqi ushtarake e as ekonomike. (Vox News)