Aktualitet

Pas Hajredin Pashës, ‘pizavengu’ i Ballukut po pushton Gjoricën e kuqe

Në Gjoricë të Dibrës, banorët po përballen me një “Hajredin Pasha modern”, oligarkun Marin Gjonaj, i njohur si broker energjie dhe i afërt me ish- zv/kreyministren dhe ish- ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës Belinda Ballukun dhe kryebashkiaken e Bulqizës Festime Mjeshtrin. Projekti për parkun fotovoltaik në Gjoricë u miratua nga Këshilli Bashkiak i Bulqizës në vitin 2024, konkretisht për rreth 42 hektarë tokë pyjore-kullosore në Gjoricë e Poshtme.

Fillimisht, projekti u prezantua si një iniciativë lokale, por më pas pronësia e tokës dhe e kompanisë u transferua tek “Gjonaj Group Holdings” e Marin Gjonajt më 8 prill 2024, duke rritur shqetësimet e banorëve për përvetësim privat dhe mungesë transparence. “Pizavengu” Gjonaj po transformon tokat pyjore dhe kullotat historike në një park fotovoltaik. Përmes ankandeve të paracaktuar, toka e përbashkët e banorëve të zonës po kalon në duar të privatit, ndërsa banorët kanë ngelur në mëshirë të fatit në luftë për pronat e tyre.

Kjo tokë është mbrojtur me gjak nga banorët e Nandë Maleve të Dibrës, por sot po grabitet nga privati. Banorët kundërshtojnë fuqishëm ndërtimin e parkut fotovoltaik por zëri i tyre nuk po dëgjohet. Ata shprehin shqetësime se humbja e kullotave do të shkatërrojë ekonominë familjare të zonës dhe do të shndërrojë Gjoricën e kuqe historike në “Gjoricën e oligarkëve”, ku toka nuk u përket më banorëve duke iu rrezikuar atyre ekonominë dhe të ardhmen e zonës.

Historia dhe ironia bashkohen në këtë përballje! Në korrik 1844, banorët e Dibrës qëndruan ballë për ballë me Hajredin Pashën dhe 12 mijë ushtri të tij dhe mbrojtën tokat me sakrifica të mëdha, sot përballen me një pushtues të ri, pa topa, por me euro dhe lidhje politike. Gjoricarët paralajmërojnë protesta dhe kundërshti të vazhdueshme, duke rikthyer thirrjen e hershme, “Ose na dëmshpërbleni, ose toka jonë nuk shitet!” Në Gjoricën e kuqe të sotme, betejat kanë ndryshuar formën, por shpirtin e tyre historik nuk mund ta ndryshojë askush.