Policia do të “blindojë” Laçin çdo të martë, si do menaxhohet pelegrinazhi për 13 javë rresht
Policia e Lezhës dhe ajo e Kurbinit kanë hartuar një plan të posaçëm masash për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout, i cili ka nisur sot, 17 mars dhe zhvillohet çdo të martë për 13 javë radhazi.
Sipas njoftimit, objektivat kryesore të planit janë parandalimi i ngjarjeve kriminale, menaxhimi i fluksit të qytetarëve, shmangia e aksidenteve rrugore dhe administrimi i trafikut në itinerarin drejt kishës.
Në zbatim të masave, shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur përgjatë aksit “Autostradë-Laç”, deri në zonën e kishës, me qëllim orientimin e lëvizjes së mjeteve dhe shmangien e bllokimeve.
Po ashtu, prezencë policore është shtuar në kryqëzimet kryesore në zonën e Patokut, pranë Gjykatës së Laçit dhe në afërsi të varrezave të qytetit. Shërbimet janë dislokuar edhe në hyrje-daljet e vendparkimeve rreth kishës, si dhe në segmentin malor të rrugës, ku rreziku për krijimin e trafikut të rënduar është më i lartë.
Në terren janë angazhuar patrulla të Rendit Publik, Policisë Rrugore dhe Policisë Kriminale, për të garantuar sigurinë e besimtarëve dhe për të parandaluar çdo incident të mundshëm.
Blutë e Lezhës u bëjnë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve të respektojnë udhëzimet e uniformave blu, në mënyrë që pelegrinazhi të zhvillohet i qetë dhe pa probleme.
