Ekonomi

Prodhuesit e bulmetit paralajmërojnë rritje të çmimeve nga 1 Maji

Industria e përpunimit të qumështit në vend po përballet me një tjetër valë presioni që buron nga tregjet ndërkombëtare të lëndëve të para. Pas rritjes së vazhdueshme të çmimit të naftës dhe tarifave të transportit, goditja e radhës vjen nga sektori i ambalazhimit, ku kostoja e plastikës pritet të pësojë një rritje të ndjeshme.

Ky shtrenjtim i paralajmëruar nga furnitorët e huaj pritet të reflektohet drejtpërdrejt në kostot e prodhimit të fabrikave vendase, duke vënë në rrezik stabilitetin e çmimeve të produkteve bazë të shportës.

Furnitorët kryesorë të fabrikave shqiptare, të cilët operojnë kryesisht në Greqi, kanë njoftuar zyrtarisht përpunuesit e qumështit se çmimi i plastikës po pëson një rritje të paprecedentë, duke arritur në disa raste deri në dyfishim krahasuar me periudhat e mëparshme. Sipas njoftimit, ky ndryshim i çmimeve do të nisë të reflektohet për të gjitha furnizimet e reja që do të kryhen nga 1 Maji deri më 31 Maj 2026.

Prodhuesit e ambalazheve sqarojnë se kjo situatë vjen si pasojë e paqëndrueshmërisë në bursa dhe presionit të lartë në kostot e prodhimit të lëndës së parë, çka i detyron ata të aplikojnë tashmë një politikë çmimesh me bazë mujore për të garantuar transparencën dhe përshtatjen me tregun global.

Përfaqësuesit e fabrikave të përpunimit të qumështit në vend shprehen se ky shtrenjtim i plastikës shton një barrë të rëndë mbi kostot e tyre operacionale.

Megjithëse furnitorët pohojnë se po përpiqen të absorbojnë një pjesë të rritjes për të mos e pasqyruar plotësisht te partnerët, përpunuesit vendas sinjalizojnë se rishikimi i çmimeve të produkteve të bulmetit mund të jetë i pashmangshëm. Plastika është një komponent esencial për paketimin e qumështit, kosit dhe nënprodukteve të tjera, ndaj çdo lëvizje në këtë zë ndikon drejtpërdrejt në koston finale për njësi.

Kjo situatë e re vjen në një kohë kur industria e bulmetit po kërkon prej kohësh ndërhyrjen e shtetit për të përballuar kostot e larta të lëndës së parë, pasi qumështi në Shqipëri vijon të blihet më shtrenjtë se në vendet e Bashkimit Evropian.

Për të parandaluar rritjen e mëtejshme të çmimeve për konsumatorin, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit i ka propozuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Bujqësisë barazimin e TVSH-së në nivelin 10% për blerjen dhe shitjen. Sipas industrialistëve, kjo masë do të sillte një balancim të nevojshëm, duke ndjekur modelin e vendeve të BE-së që aplikojnë norma të reduktuara ose zero për produktet bazë, por deri më tani kjo kërkesë ka mbetur pa një përgjigje zyrtare.